50-vjeçari Preng Gjini, nga qyteti i Rrëshenit po lufton për jetën në Spitalin e Traumës. Ai mbeti i plagosur rëndë pas shpërthimit të një sasie tritoli që i ishte vënë në automjetin me të cilin po udhëtonte pranë zonës së Selitës në Tiranë.

Policia thotë se paraprakisht po heton në pistën e hakmarrjes, duke u nisur nga fakti se ndaj 50-vjeçarit nuk ka asnjë precedentë penalë, përveç faktit që në fillim të këtij viti është marrë në pyetje si autor i dyshuar i një tjetër ngjarjeje të bujshme të ndodhur në qytetin e Rrëshenit në janar.

Bëhet fjalë për vrasjen e Kastriot Reçit, që u qëllua me snajper nga një distancë e konsiderueshme në qytetin e Rrëshenit. Ekzekutimi ishte mafioz dhe i mirëmenduar pa lënë asnjë gjurmë pas. Policia dhe prokuroria në mungesë të provave nuk e morën asnjëherë si të pandehur Preng Gjinin.

Por, nëse për policinë provat nuk kanë qenë bindëse, për botën e krimit duket se dyshimet kanë qenë të mjaftueshme dhe edhe sipas deklaratës së drejtorit të Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj krimi dyshohet se është bërë për hakmarrje për vrasjen e Kastriot Reçit.

Zinxhiri i hakmarrjes nuk ka lindur me këtë vrasje. Në gusht të 2019 në mes të Rrëshenit u vra me armë zjarri Armando Gjini, njohur edhe si Tonin Gjini, vëllai i Preng Gjinit. Edhe kjo ngjarje ka mbetur ende pa autorë për policinë.

Armando Gjini

Mësohet se Preng Gjini nuk jetonte në Shqipëri, por është rikthyer në muajin gusht për 1-vjetorin e vdekjes së të vëllait të tij. Dyshohet se autorët kanë studiuar për ditë me radhë lëvizjet e 50-vjeçarit Preng Gjini dhe se në momentin e shpërthimit ata mund të kenë qenë në një distancë të afërt me viktimën.