Ekipet shqiptare pjesëmarrëse në Europa League kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm nëse kalojnë raundin e dytë paraeliminator.

Kukësi, Teuta dhe Laçi do të luajnë ndaj Wolfsburg, Granada dhe Hapoel Beer Sheva në këtë raund.

Nëse kualifikohen për në turin tjetër, Kukësi do të përballet me ukrainasit e Desna, Teuta me fituesen e çiftit Lokomotiv Tbilisi-Dinamo e Moskës dhe Laçi me fituesen e çiftit Coleraine-Motherwell.

Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës do ta ketë të vështirë të kalojë në fazën e grupeve të Europa League, pasi edhe në rast se eliminon Botosanin, skuadra tetovare do të përballet me fituesen e çiftit Lokomotiv Plovdiv-Tottenham Hotspur.

Short i vështirë edhe për Renovën, që nëse eliminon Hajdukun e Splitit do të përballet me fituesen e çiftit Neftçi Baku-Galatasaray.

Drita, nëse kalon ndaj Sileksit, do i duhet të përballet me Legian e Varshavës.