Kreu i koalicionit “Bardhë e Zi”, Dritan Abazović, në një konferencë për mediat ditën e sotme komentoi ngjarjet e një nate më parë, teksa dënoi me forcë konfliktet dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Malit të Zi të bëjnë paqe.

Duke folur për kremtimin e qeverisë së re në rrugë mbrëmjen e djeshme, z. Abazoviç u shpreh se nuk donte të mbronte askënd, por shtoi se njerëzit e ndjenin fitoren për herë të parë në 30 vjet dhe se e njëjta gjë ndodhi në Tuz, kur valëvitnin flamujt shqiptarë.

Ai tha se do të kishte kohë për të festuar dhe se konfliktet do t’i shkonin për shtat vetëm qeverisë në largim.

Z. Abazoviç këmbënguli se nuk kishte kompromise me interesat kombëtare të Malit të Zi.

“Mali i Zi nuk do të bëhet as Sparta Serbe as Shqipëria e Madhe”, tha ai.

Teksa e cilësoi një moment historik për Malin e Zi, kreu i ‘Bardhë e Zi’ tha se përkundër thirrjeve dhe mesazheve që kishte marrë më herët, premtoi të mos i nënshtrohej presionit të çfarëdo lloji dhe se interesi i tij më i madh ishte interesi kombëtar i Malit të Zi.

I pyetur nëse Mali i Zi do të mbetet i pavarur, z. Abazoviç u shpreh se ata u kthyen sovranitetin e tyre qytetarëve të dielën dhe se qytetarët më në fund ndihen si njerëz që marrin vendime.