Një operacion ndërkombëtar antidrogë ka bërë të mundur shpartallimin e një karteli ballkanik që mbushte Europën me kokainë, tha Europol në një njoftim për mediat.

Operacioni, në të cilin janë përfshirë 8 shtete, ka sjellë procedimin e 61 personave, prej të cilëve 23 janë arrestuar, tha Europol. 13 persona janë arrestuar në Spanjë, ndërsa 10 në Slloveni.

Gjithashtu gjatë operacioneve të zhvilluar kryesisht gjatë viteve 2020-2021 janë sekuestruar 2,6 tonë kokainë, 324 kilogramë marijuanë, 612 mijë euro cash, 9 makina luksoze dhe 5 motoçikleta.

Në operacion kanë marrë pjesë autoritetet e disa shteteve si Spanja, Kroacia, Serbia, Gjermania, Sllovenia, Bosnje-Hercegovina, Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbia, në koordinim me Njësinë e Krimeve të Rënda të Europol.

Organizata e rrezikshme kriminale kishte degë në disa shtete europiane dhe ishte e përbërë nga persona të kombësisë serbe, kroate, malazeze dhe sllovene.