Rastet aktive me Covid-19 janë kthyer në një shqetësim edhe për vendet e Ballkanit, për shkak të mundësisë të tyre për të zgjeruar më tej hartën e infektimeve të reja.

Shqipëria renditet e katërta në rajon sa i përket vatrave aktive të infeksionit krahasuar me numrin e popullsisë. Në vend të parë qëndron Serbia me 307 080 infektime aktive apo ndryshe 3.5% e popullsisë totale.

Pas saj renditet Mali i Zi me 9158 raste apo 1.4% e popullsisë. Aktualisht në Greqi ka 124,799  vatra aktive apo 1.2 % te popullsisë së saj. Në Shqipëri autoritetet shëndetësore raportojnë për 23,448 të infektuar aktive apo 0.8% e popullsisë totale.

Numrin më të ulët të vatrave infektuese në rajon e kanë Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përkatësisht me 0.5 dhe 0.4% të popullsisë. Frika e rritjes së rasteve pozitive me Covid-19 ka riaktivizuar masat shtrënguese në shtetet e rajonit, përfshirë Greqinë që ndodhet në izolim total.