Nga Auron Tare

Këta janë shqiptarët e Odesës, një foto historike e komunitetit shqiptar te Ukrainës.

Fatkeqësisht nuk ka shumë informacion mbi origjinën e këtij komunitetit të vendosur në Odesa dhe në disa fshatra të Ukrainës.

Foto nga M. Haxhiislami

Prezenca e shqiptarëve në Ukrainë vërtetohet nga dy luftërat ruso -turke në fundin e 1700 dhe mesin e 1800. Në të parën, një numër i lartë shqiptarësh ishin pjesë e ushtrisë perandorake osmane të udhëhequra nga Myftar Pasha, i biri i Ali Pashë Tepelenës.

Dëshmitë e tij për pjesëmarrjen në këtë luftë regjistrohen nga dy udhëtare amerikanë që janë takuar me të në Janinë.

Pikturë në muzeumin Benaki të Athinës (autor i panjohur)

Duket se një pjesë e shqiptarëve kanë vendosur të shpërngulen në Ukrainë dhe të ndërtojnë një jetë të re. Me shumë gjasa, më vonë kanë shkuar edhe tregtarë të ndryshëm, të cilët bënin tregti midis territoreve osmane dhe atyre ruse. Fotoja e rrallë është një dëshmi e këtij komuniteti që ende nuk e kishte humbur identitetin e vet.

Lufta e Krimesë që filloi në tetor të vitit 1853, ishte lufta më e madhe europiane pas epokës napoloniane dhe rreshtoi në fushën e betejës gati të gjitha fuqitë e kohës: perandorinë ruse, otomane, britanike, franceze dhe të gjithë aleatët e tyre.

Shqiptar i kapur rob nga forcat ruse. Autor piktori rus Vereshchagin

Interesant është fakti se si në luftën e parë ruso–turke, edhe aty shqiptarët ishin të ndarë në fushën e betejës. Një repart kryesisht i shqiptarëve ortodoksë që vinin nga provincat me shumicë shqiptare si Mani, Suli apo Trakia, në radhët e ushtrisë ruse dhe rreth 4500 shqiptare myslimanë dhe katolikë në radhët e trupave osmane.

Trupat egjiptiane në betejën e Krimesë

Lufta e Krimesë, për nga përmasat dhe furia e betejave ka frymëzuar mjaft piktorë dhe shkrimtarë të kohës, francezë, rusë dhe britanikë, të cilët shoqëronin trupat ushtarake.

Ishte gjithashtu dhe Leon Tolstoi, i cili përshkruan mjeshtërisht skena nga këto beteja të ashpra.

Interesant është fakti që në radhët e otomanëve ishin një sërë repartesh të ushtrisë egjiptiane të Ismail Pashës, Khedivit shqiptar të Egjiptit, ku ndër të tjera edhe një repart shqiptarësh jugorë.