Është shtyrë mbledhja e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, e planifikuar të mbahej këtë të premte.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili thotë se shkak për këtë vendim të dakordësuar edhe me kryeministrin Edi Rama është bërë seanca e Kuvendit të Kosovës.

“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, shkruan Hoti.

Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë ku u patën nënshkruar një sërë marrëveshjesh.