Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendime pas emërimit të anëtarit të saj të gjashtë nga presidenti Meta.

Prej mesit të vitit 2018, Gjykata Kushtetuese nuk ka funksionuar në Shqipëri për shkak të nisjes së procesit të vetingut. Gjatë kësaj kohe në gjykatë janë dërguar disa çështje rëndësi të veçantë pasi kanë edhe implikime politike.

Tani që Gjykata Kushtetuese është funksionale do të vendoset përfundimisht për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit të kërkuar nga kryetarja e Shoqatës së Kryebashkiakëve të Shqipërisë, Voltana Ademi.

Ademi kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit pasi ato u mbajtën pavarësisht dekreteve të Presidentit Ilir Meta që i kishte shtyrë ato për më 13 tetor.

Para kësaj çështjeje në gjykatë ishte depozituar nga Presidenti Meta, kërkesa për shpalljen anti-kushtetues të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Këto dy çështje kanë shërbyer për përplasje të ashpra mes qeverisë dhe opozitës. Kjo e fundit bojkotoi zgjedhjet e 30 qershorit ndërsa në rastin e Teatrit protestoi dhe dënoi prishjen duke akuzuar qeverinë si të korruptuar.

Një tjetër çështje që Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë është kërkesa e Gjykatës së Apelit Shkodër për shpalljen antikushtetuese të ndryshimeve të kodit penal që konsiderojnë vepër penale protestat që organizohen pa leje.