Stiveni ka lënë punën rreth mesnatës së të hënës dhe bashkë me një shokun e tij ka mbërritur në afërsi të banesës. Në momentin që shoku i tij ka parkuar makinën që të dilnin, dy persona janë afruar te dera e automjetit dhe kanë nisur të debatojnë me Stivenin.

Ai i ka njohur e për pasojë ka këmbëngulur të zbresë që të sqarohet me ta. Pas një bisede që nuk ka zgjatur shumë, Stiveni ka marrë rrugën për në shtëpi, por njëri nga dy djemtë e ka goditur me thikë. Stiveni ka ecur pak hapa dhe ka rënë në tokë.

Është nisur menjëherë për në spital, po për fatin e keq nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Këto janë minutat e fundit dhe fatale të jetës së një djali që për pak ditë mbushte 20 vjet, në fakultet paradite dhe masdite në punë, deri në mesnatë, por nuk mjaftoi! Dy djem, vetëm 18- vjeçarë, e goditën për vdekje. Policia e lajmëroi ngjarjen rreth 7 orë pasi kishte ndodhur, ndërsa njëri nga djemtë, që mori pjesë në vrasjen e Stivenit, u arrestua, tjetri mundi të largohej.

Policia në lajmërimin e saj paraprak për krimin e rëndë bëri me dije se po punohet itensivisht për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që kamerat e sigurisë në afërsi të vendit të ngjarjes kanë mundur të tregojnë momentin e fundit të jetës së të riut dhe agresionit të dy të tjerëve.

Ngjarja sipas policisë

Sipas të dhënave të bëra publike ditën e djeshme u mësua se një 20-vjeçar ka humbur jetën pas mesnatës në rrugën ‘4 Dëshmorët’ në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”. U bë me dije se viktima ishte Stiven Toshkesi, i cili u qëllua me thikë pas një sherri dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda. Policia pas marrjes së dëshmive të para theksoi se konflikti ka nisur për një vajzë.

Abuzimet me tenderat në Roskovec, PD çon Majlinda Bufin në SPAK: Po falimenton bashkinë
Njëri prej 18-vjeçarëve ngacmonte të dashurën e 20-vjeçarit dhe për këtë shkak rreth dy javë më parë ata ishin zënë edhe në rrugën e Elbasanit. Për këtë ngjarje u identifikuan Ensi Maze dhe Axel Hoxhaj, të cilët u shpallën në kërkim. Policia ka rindërtuar skenën e krimit duke u bazuar në pamjet filmike dhe ka bërë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:35. I riu u përfshi në konflikt dhe u plagos për vdekje nga dy të rinjtë Axel Hoxhaj dhe Ensi Maze, 18 vjeç.

Ky i fundit është kapur dhe arrestuar, ndërsa shoku i tij është ende në kërkim. I riu u dërgua në spital ku ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra. Mësohet se i riu që ndërroi jetë punonte montazhier së bashku me nënën e tij në një televizion në Tiranë. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorit tjetër dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë që kanë tronditur opinionin

Janë marrë një sërë dëshmish, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë ka deklaruar i riu që është arrestuar pak orë pas krimit të rëndë. Policia nuk ka sqaruar asnjë rrethanë tjetër të asaj ngjarjeje, ndërkohë që sipas të dhënave ka shkuar shumë vonë në vendin e ngjarjes, edhe pse ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të njohura të kryeqytetit. Ndërkohë që pritet të merret edhe dëshmia e vajzës sherr, e familjarëve të të gjitha palëve dhe e njerëzve të tyre të përbashkët.