Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për dy shqiptarët me iniciale K.K., dhe K.K. si dhe dy shtetas italianë P.C. dhe N.T.

Deri më tani, burime për Ora News bëjnë me dije se është arrestuar vetëm një nga autorët, Kreshnik Kurta, ndërkohë që vijon puna për kapjen e tre të tjerëve.

Ata akuzohen për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria Tiranë, ka regjistruar procedimin penal në lidhje me Subjektin TIRANA-BULLION Sh.p.k me administratore shtetasen K. K.

Gjatë hetimeve, u arrit të evidentohej një skemë e mirëfilltë e transferimit të shumave monetare me prejardhje të dyshuar kriminale nëpërmjet sistemit bankar nga Italia me destinacion Shqipërinë.

Nëpërmjet shoqërisë fiktive TIRANA-BULLION Sh.p.k me objekt tregtimin dhe eksportimin e floririt, bëheshin blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje fiktive me fatura tatimore ku qëllimi i vetëm ishte që nëpërmjet këtyre faturave të justifikoheshin transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona eurove nga Bankat Italiane në ato Shqiptare.

Këto transferta në dukje të justifikuara me anë të një faturimi të rregullt, pra duke i paraqitur si pagesa të blerjeve të floririt të përdorur, arrinin t’i shpëtonin kontrollit të agjencive mbikqyrëse në fushën e pastrimit të parave dhe sapo këto shuma mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin kesh dhe zhdukeshin.