“Djalin tonë e ka kontaktuar një person dhe e ka marrë për të punuar me 30 mijë lekë ditën,” tregon për BIRN i afërmi i një të riu të arrestuar pak ditë më parë për kultivim të bimëve narkotike në zonën e Mirditës.

“Në ditën e tretë të punës, ka shkuar policia dhe e ka arrestuar,” shton ai, ndërsa thekson se familja e të riut ishte në kushte të vështira ekonomike.

Ai pretendoi gjithashtu se familjari i tij ishte mashtruar.

“I kishin thënë që të punonte në bujqësi, pa patur dijeni se ishte drogë,” tha ai.

Gjatë javës së fundit janë goditur 3 raste të kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Mirditës, pjësë e territorit të Qarkut Lezhë.

Gjatë këtyre operacioneve janë arrestuar në flagrancë 7 persona, si dhe janë proceduar penalisht për “shpërdorim detyre” kryetari i një njësie administrative, një kryeplak dhe 3 punonjës të Shërbimit Pyjor të Bashkisë Mirditë.

Kultivimi i bimëve narkotike është kthyer në problem shqetësues gjatë këtij viti në territorin e Qarkut të Lezhës. Në cilësinë e kryetarit të shtabit antikanabis në rang qarku, prefekti Gjok Jaku thotë se ka një tendecë në rritje për kutivim droge dhe sinjalet nuk janë aspak pozitive.

“Në të tre bashkitë e Qarkut Lezhë, Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, kemi raste jo vetëm të tentativës, por edhe të gjetjes dhe kapjes të fidanëve,’ tha Jaku.

“Këto shifra që raportohen tregojnë se ka një tendencë për të mbjellë lëndë narkotike të grupeve të ndryshme kriminale, të cilët po mundohen të veprojnë si munden e ku munden,” shtoi ai.

Sipas të dhënave të Policisë Shqiptare nga monitorimet e bëra nga ajri në bashkëpunim me ‘Gurdia di Finanza’, nga viti 2013 deri në vitin 2020 në Shqipëri u idenfikuan më shumë 613 hektarë tokë e mbjellë me kanabis.

Deri në vitin 2013, fenomeni ishte i përqendruar në fshatin famëkeq të Lazaratit – i njohur dikur si ‘kryeqyteti europian’ i kanabisit, por pas ndërhyrjes së policisë në vitin 2014, u shpërnda në zona të tjera të vendit, duke arritur pikun në vitin 2016. Në vitin 2017, qeveria shqiptare ndërhyri përsëri me forcë, duke e minimizuar fenomenin, por pa arritur ta eleminojë atë përfundimisht.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Brendshme, gjatë vitit 2020 janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike dhe janë ndaluar 284 shtetas të dyshuar.

Kjo nuk është hera e parë që Qarku i Lezhës kthehet në një zonë të nxehtë për kultivimin e bimëve narkotike. Në nëntor të vitit 2016, policia arriti të zbulojë një magazinë droge në Mirditë, duke sekuestruar rreth 4 ton bimë narkotike. Në pranga u vunë 22 persona, mes të cilëve gra dhe vajza.Të gjithë të ndaluarit rezultonin punëtorë dhe u dënuan nga gjykata vetëm për moskallzim krimi.

Aktiviteti i kultivimit të bimëve narkotike është më prezent në zonat malore të qarkut të Lezhës, por nuk kanë munguar rastet që kjo veprimtari është kryer edhe në zona fushore të banuara. Në pjesën më të madhe të rasteve gjatë operacioneve antidrogë janë arrestuar vetëm punëtorë, pa arritur të zbulohen “kokat” e këtij aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve.

Sipas Jakut, të gjithë aktorët e përfshirë në luftën kundër kanabisit duhet të bëjnë punën e vet për të parandaluar këtë veprimtari të paligjshme.

“Secili prej anëtarëve, pjesë e task-forcës së luftës kundër kanabisit duhet të bëjnë punën e vet në mënyrë të përgjegjshme dhe intensive për të luftuar këtë fenomen mjaft shqetësues,” shtoi Jaku

Sipas të dhënave zyrtare qe nga fillimi i vitit e deri tani janë goditur 10 raste të kultivimit të bimeve narkotike, ndërsa kultivuesit veprojnë kryesisht në zona të braktisura dhe në male.

Drejtori vendor i policisë në Lezhë, Zef Laska thotë se është identifikuar e gjithë harta ku mund të kultivohet lëndë narkotike dhe se personat e dyshuar për këtë veprimtari po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

“Gjatë këtij viti, krahas masave organizative, kemi marrë dhe masa të tjera operacionale që lidhen drejpërdrejt me veprimin në terren,” tha Laska, ndërsa shtoi se strukturat e policisë Lezhë e kanë prioritet parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Laska tha se policia e ka të qartë hartën ku mund të kultivohet drogë në çdo bashki, ku zonat më problematike janë zonat malore.

“Kemi identifikuar çdo autor të mundshëm dhe po i mbajmë në monitorim të vazhdueshëm, ç’ka do të thotë se mesazhi është shumë i qartë, larg këtij fenomeni, pasi nuk do të ketë tolerime dhe të gjithë do përballen me ligjin,” paralajmëroi ai.

Sipas Laskës, fushata dhe zgjedhjet e 25 prillit ka ndikuar për zhvillimin e këtij aktiviteti kriminal dhe kjo konstatohet më shumë në zonën e Mirditës.

“Për shkak të situatave që kaluam në muajin prill, konstatojmë me keqardhje se ka një tendencë në rritje për zhvillimin e këtij aktiviteti kriminal, e në veçanti kjo konstatohet në zonën e Mirditës, por jo pak dhe në atë të Lezhës,” theksoi drejtori i policisë.

“Kemi nisur një operacion me pjesëmarrjen dhe të forcave të FNSH dhe kemi goditur disa raste,” shtoi Laska.

Drejtori i policisë së Lezhës theksoi se kontrollet nga toka dhe ajri për të identifikuar parcelat me bimë narkotike nuk do të ndalen.

“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha strukturat ligjzbatuese dhe kontrollet, si nga toka ashtu dhe nga ajri nuk do të ndalen për të goditur këtë veprimtari kriminale,” përfundoi Laska./BIRN