Pothuajse në mënyrë të papritur, në mes të tensioneve më të larta prej vitesh në Rripin e Gazës, mund të përfundojë pushteti politik në Izrael i kryeministrit Benjamin Natanyahu.

Pak orë më parë, u shpërnda lajmi, më pas i pohuar nga vetë protagonistët politikë, se lideri i partisë së djathtë Yamina, 49-vjeçari Naftali Bennet, dhe ai i partisë së moderuar e qendrës, Yesh Atid, ish-gazetari 57-vjeçar Yair Lapid, kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Naftali Bennett

Objektivi i deklaruar i koalicionit të çuditshëm, në shikim të parë, nga momenti që Yamina i drejtohet pjesës më fetare të elektoratit, ndërkohë që Yesh Atid shtresës së mesme me qasje perëndimore, është ndryshimi nga politika e Netanyahut, që mban vendin e kryeministrit nga viti 2009, dhe gjithsesi dominon skenën e vendit nga viti 1996, kur mori pushtetin në mandatin e parë.

Yair Lapid

Vetë Netanyahu i kishte ofruar partisë Yamina një mundësi koalicioni të një qeverie të djathtë, por sipas liderit të saj, kjo mundësi nuk ka shifrat e duhura që të realizohet.

Marrëveshja që do të konkretizohet në aleancën e quajtur  “blloku për ndryshim” parashikon drejtimin e Bennet deri në vitin 2023, dhe më pas një rotacion ku do të jetë Yair Lapid kryeministri.

Vendimi do të paraqitet në Knesset, parlamentin izraelit, ditët në vijim, dhe do të përfaqësojë një risi në skenarin politik të vendit, por me pasoja gjeopolitike edhe tek e gjithë Lindja e Mesme.