Miliona euro u bënë tym. Skandalet e Niko Peleshit me programin e 100 fshatrave…
Ja çfarë zbuloi raporti i KLSH-së: buxhetet dhe donacione të huaja dyshohet se kanë shkuar në resorte turistike në pronësi të pushtetarëve të lartë…

Nga Elmas BOGDANI

Miliona euro u bënë tym, skandalet e Niko Peleshit me programin e 100
Në Shqipëri, skema e projekteve që mbesin në letër dhe lekët shkojnë në xhepat e oligarkëve vazhdon të aplikohet. Pas shpërthimit të skandalit nga Komisioni Evropian, i cili njoftoi para disa javësh qeverinë shqiptare se ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre, gazeta “SOT” po heq një paralele të këtij skandali dhe me një program tjetër të qeverisë, i cili është pompuar shumë nga socialistët në media. Bëhet fjalë për programin e 100 fshatrave, në drejtimin e Niko Peleshit, në atë kohë Ministër i Bujqësisë dhe përgjegjësi kryesor i realizimit të këtij projekti. Ai vraponte studio më studio, fshat më fshat duke e i bërë një fushatë marketingu të jashtëzakonshme, por që fundin e dimë të gjithë. Qeveria e prezantoi këtë program në shkurt të 2018. U akorduan miliona dollarë, buxhet e donacione të huaja, por shtetarët në vend që të rindërtonin fshatrat ekzistues me vlera turistike, zhvatën toka, pyje, kodra dhe me fondet, kanë ndërtuar fshatra e resorte turistike në pronësi të tyre. Edhe pse kanë kaluar 5 vite që prej asaj ditë, programi i rilindjes rurale akoma nuk ka prekur të gjithë fshatrat e premtuar, madje thuhet se në 70 % të tyre nuk ka fare investim. KLSH i kanë shkuar vetëm si numra deri në mars të 2022, 88 projekte zhvillimore me një vlerë totale prej 32 miliardë lekësh, ose rreth 270 milionë euro me përfitues direkt 76 fshatra të listës së fshatrave turistikë. Por KLSH, në raportin për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar zbuloi se programi 100 fshatrat nuk është zbërthyer në plane vjetore pune, për pasojë edhe efektet e këtij programi mbetën të panjohura, sepse deri më tani nuk ka një raport vlerësues të asaj që është arritur dhe ndikimit që ky projekt ka dhënë në zonat ku ka shkuar mbështetja buxhetore. Puna e 4 ministrive që duhet të sillte rilindjen e zonave rurale, në vend të zhvillimit erdhi braktisja e fshatrave. Ministria e Bujqësisë do të kontribuojë në zhvillimin e 100 fshatrave nëpërmjet programit IPARD dhe Skemës Kombëtare. Por shpërndarja e këtyre fondeve tek kryetarët e bashkisë dhe personave më të shkuar kriminale, nuk hapi vende të reja në këto fshatra dhe as rriti prodhimin vendas. Këtë e vërtetoi dhe ndërhyrja nga Brukseli, të cilët bllokuan fondet për qeverinë shqiptare. KLSH konstaton se paratë që janë dhënë për rilindjen rurale, në të vërtetë nuk ka një raport se ku të përcaktojë rezultatin e objektivave që duhet të arrijë programi 100 fshatrat. KLSH thotë se 4 ministritë nuk u koordinuan me njëra-tjetrën për shpërndarjen e punëve pasi kurrë nuk u ngrit një strukturë që të administronte dhe monitoronte punët e tyre.

Ja raporti i plotë i KLSH-së:

Nuk ka një rezultat gjithëpërfshirës mbi shkallën e realizimit të objektivave specifike të parashikuara në Strategjinë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020 si dhe shkallën e përmbushjes së indikatorëve/impaktit që synon të arrije ky program siç janë rritja e numrit të vendeve të punës; numrit të të punësuarve gra/vajza; numrit të të punësuarve të rinj; numrit te bizneseve start-up, të bujtinave; të inkubatorëve për produkte tradicionale; numrit të sipërmarrjeve të reja të agroturizmit, numrit te sipërmarrjeve prodhuese të produkteve tradicionale; si dhe numrit të projekteve të realizuara të përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Në asnjë rast nuk është dokumentuar aktiviteti dhe përbërja e Komisionit Ndërministror, i cili duhet të vendoste për ecurinë e programit dhe nuk rezulton të jetë ngritur as Sekretariati Teknik për të mbështetur Komisionin. Për zbatimin e Programit të Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR). Programi 100 fshatrave, si pjesë e Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020, nga ana e ministrive përgjegjëse nuk u krijuan struktura të posaçme, të cilat do të mundësonin administrimin, bashkërendimin, koordinimin, zbatimin dhe monitorimin e programit të 100 fshatrave, sipas ndarjes së qartë të roleve. Ky program nuk është zbërthyer më tej në plane vjetore pune; si pasojë kanë munguar raportet e monitorimit për të ndjekur ecurinë e projektit në mënyrë të koordinuar. Edhe pse këtij projekti i është dedikuar një program buxhetor specifik, konstatuam përdorimin e programeve të tjera buxhetore nga ana e subjekteve, për fonde që lidhen me Programin e 100 fshatrave, duke bërë të vështirë gjurmimin e shpenzimeve për këtë program nga pikëpamja e zbatimit të buxhetit. Në përfundim vlerësojmë se, ministritë e përfshira në program duhet të marrin masa për rivënien në afat të këtij programi qeveritar, përditësimin e tij në vazhdim, nëpërmjet një qasjeje bashkëpunuese ndërinstitucionale, me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit”.

_____