Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi edhe njëherë për skandalin e publikimit të të dhënave personale të mijëra qytetarëve, duke thënë se tashmë ato janë në duart e mafias dhe krimit të organizuar për të ushtruar terror ndaj tyre.

Pasi e konsideroi sërish si një akt të rëndë në historinë e shtetit, por që bëhet për të fshehur skandalet e qeverisë, ish-kryeministri shkruan në rrjetet sociale se narkoshteti largohet vetëm me protesta.

“Në Shqipëri si në asnjë vend të botës të gjitha sistemet dixhitale të narkoshtetit janë në kontroll të plotë të mafies shtetërore të drogës dhe krimit, e cila përdor të dhënat e tyre për terror psikologjik, partiak, politik, financiar, ekonomik, elektoral, banditesk të narkoshtetit dhe bandave të tij ndaj qytetarëve.

Nxjerrja e të gjithë databazës së shtetit, de facto narkoshtetit, pra të të gjitha të dhënave të privatësisë së qytetarëve nga kreu i Meduzës, Edi Rama dhe banda e tij për të maskuar skandalet monstruoze me aferat e djegsave, arbitrazheve, PPP, koncesioneve, prokurimeve sekrete që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit arrijnë në 8,2 miliardë euro, përbën aktin më të rëndë dhe më të pashembullt në historinë e një shteti.

Ky megaskandal i pandodhur kund në botë është një thirrje, një kushtrim për opozitën dhe mbarë shoqërinë shqiptare të ngrihen në protestat më të fuqishme që vendi ka njohur këto 30 vite për përmbysjen sa më parë të regjimit mafioz kriminal të kreut të Meduzës, Edvin Kristaq Rama dhe narkoshtetit të tij në Shqipëri”, shkruan Sali Berisha.