Partia Socialiste sinjalizoi të martën se nuk ka në plan të pengojë prokurorinë në kërkesën për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, i cili dyshohet nga prokuroria se ka përfituar në mënyrë të parregullt para nga kompanitë koncesionare të inceneratorëve.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Socialistëve Taulant Balla i tha gazetarëve se këshilli i mandateve pritet të mblidhet nesër pasdite për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.

“Asnjë vonesë për të çuar përpara një arritje që Shqipëria e ka në mënyrë pa diskutueshme, Reformën në Drejtësi. Unë nuk interpretoj dokumente zyrtare, vetëm i lexoj, është një dokument që më është vënë në dijeni dhe kemi thirrur mbledhjen e këtij këshilli nesër në orën 18:00,” deklaroi Balla.

Administrata e Kuvendit njoftoi pak më vonë se mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet të mërkurën me praninë e gazetarëve.

Deputetët në Shqipëri kanë imunitet parlamentar ndaj arrestimit por jo ndaj hetimit, në bazë të reformës kushtetuese të vitit 2012. Sipas kushtetutës deputeti nuk mund të arrestohet, t’i kontrollohet banesa apo t’i hiqet liria pa lejen e kuvendit.

Socialistët bllokuan kërkesën e prokurorisë për arrestimin e deputetit Sajmir Tahiri në vitin 2017 pas zbulimit në Itali të një rrjeti trafikantësh droge. Vendimi i socialistëve për të mos lejuar arrestimin e Tahirit ngriti pikëpyetje serioze mbi rendin kushtetues, pasi cilësia e kërkesës së prokurorisë apo provat që kanë çuar prokurorinë të kërkojë arrest duhet të shqyrtohen nga gjykata dhe jo nga opinioni politik i ligjvënësit.

Socialistët duket se kanë ndryshuar mendim mbi këtë çështje në rastin e Bllakos.

Alqi Bllako, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), akuzohet nga prokuroria për abuzim me detyrën dhe korrupsion pasiv. Sipas prokurorëve, ai ka “përfituar në mënyrë të parregullt” afro 15 milionë lekë nga Integrated Technology Ëaste Treatment Fier.