Nëse zgjedhjet e 25 prillit do të mbaheshin të dielën e ardhshme, atëherë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të merrnin pjesën dërrmuese të votave, pasi arrijnë gati në 90% në total.

Sondazhi i katërt kombëtar me intervista të realizuara në harkun kohor 7 mars – 31 mars, parashikon se 49% e votave do të shkojnë për PS dhe 40.5% për PD.

Pjesë e parashikimit janë përfshirë jo vetëm ata që e deklarojnë votën e tyre, por edhe votuesit e papërcaktuar përmes një analize me pyetje specifike për të kuptuar se ku do  të shkojë vota e tyre.

Sipas parashikimit, Lëvizja Socialiste për Integrim del se në rang kombëtar do të marrë 6% të votave, kurse 4.5% do t’u takojë forcave të tjera më të vogla politike që garojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Parashikimi i rezultati:

PS – 49%

PD – 40.5%

LSI – 6%

Krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, ka një rritje me 11.6 pikë të PD dhe një rënie me 8.3 pikë të LSI, të cilat gjithashtu në zgjedhjet e kaluara garuan të ndara. Ndërsa PS, e cila në ato zgjedhje mori 48.3% të votave, ka një rritje të lehtë prej 0.7%.

Rënia e madhe e LSI vihet re dhe në ndryshimet në krahasim me sondazhin e parë të MRB për Euronews Albania. Nga 11.2% që ishte parashikimi, ka zbritur në 6. Për PS, ka një rritje të vogël pasi nga 47.3% ka shkuar në 49%, kurse për PD rritja është e fortë pasi nga 34.4% ka shkuar në 40.5%.

Rezultati i 2017:

PS – 48.3%

PD – 28.9%

LSI – 14.3%

Sejamini: E pafalshme për PD-në që ka bërë aleancë me këdo, por jo me Patozin dhe Topallin

Drejtuesi i emisionit ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania, Neritan Sejamini e cilësoi një gabim të pafalshëm të Partisë Demokratike faktin që ka bërë aleancë me këdo dhe nuk ka bërë aleancë me tri partitë e reja, që sipas tij me gjasë do ta dëmtojnë, Partinë Nisma, Bindja Demokratike dhe Lëvizja për ndryshim, e drejtuar nga Jozefina Topalli.

Sipas Sejaminit, vetëm një aleancë e tillë do t’i krijonte kushte reale opozitës për të fituar zgjedhjet.

Teksa komentoi votën e të pavendosurve, Sejamini u shpreh se PD nuk ka punuar siç duhet me elektoratin gri, të cilët sipas tij me gjasa në fund do të votojnë PS.

Kjo e fundit, tha Sejamini, është duke punuar fort me elektoratin griu, të cilët po telefonohen një më një nga shtabet elektorale të PS në mënyrë që të binden.

Teksa komentoi pozicioni ne Lëvizjes Socialiste për Integrim, gazetari Sejamini u shpreh se PS ka një fushatë të qartë politike kundër LSI, që sipas tij duket se ka dhënë rezultat duke ndikuar edhe në tkurrjen e saj.

“Rama ka thënë sot që LSI-në do ta dërrmojmë, sepse ata që ikën nga PD në 2017 duhet të kthehen tek PD ndërsa të tjerët do të vijnë tek ne. Kjo është një deklaratë efikase nga ana elektorale, jep mesazh te elektorati se këta do të fitojnë,  mund të ketë dhënë rezultat”, shpjegoi Sejamini.