SOT – 17 Nëntor

Nga Bardhul TODA

Rritesh në moshën e lirisë,
e zbukuruar sa kurrë më parë në sipërfaqe,
Shqipëria jonë e truallit ku lindëm,
toka magnet i racës që do paqe.
U ngjalle vendi im dekada të shkuara,
nga ata që u shuan dhe të deshën pa çmim,
nga ata, që kur “atdhetarët” në pazar të shitën,
në zjarr ishin hedhur, të të sillnin lirinë.
Një rracë endacakësh tejet të frikësuar,
të fshehur pas helmetës dhe çizmes së huaj,
në sallone si damat rrinin pispilluar,
kur trupi, dhe njerëzit që të deshën,
në aromë baroti qenë të parfumuar.
Në qiellin e pa zbardhur, korbat vallëzonin,
nga era e luftës mbushur me kufoma,
prapë aty nën lëkurë, forca të mbeti,
lirinë e fitove, paçka se tradhtoi mbreti.
Sot?
Lapidarët e trimave janë të dhunuar,
nga jashtë, dhe nga brenda dëmtuar shpirtërisht,
me pllaka të thyera dhe të pa suvatuar,
por, ama,
në mes të Tiranës shtatorja e tradhtisë,
qëndron si vetë personi,
thjeshtë, paturpësisht.
T’i zgjojmë Dëshmorët, bustet, lapidarët,
krenarinë ta çojmë edhe lart mbi re,
nuk erdhi liria nga pushtët dhe tradhtarët,
por nga gjaku i derdhur për këtë Atdhe!…