SPAK ka kërkuar dy vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llallën. Duke zbritur 1/3 nga gjykimi i shkurtuar, mbeten 1,4 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga Shërbimi Publik. Llalla po i nënshtrohet një gjykimi të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kërkesa e ish-kryeprokurorit të pandehur për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” për këtë lloj gjykimi u pranua kur u çel edhe shqyrtimi gjyqësor i dosjes. Gjykimi i shkurtuar dikton zgjidhjen e çështjes mbi aktet e sjella në SPAK, pa marrë në shqyrtim prova të reja, apo pyetur dëshmitarë.

Nga ana tjetër, për hir të procedurës së shkurtuar, në rast se i pandehuri Llalla shpallet fajtor për akuzën, përfiton uljen e një të tretës së dënimit. Pasi miratoi këtë kërkesë dhe u njoh me akt-akuzën e SPAK gjykata ftoi palët në konkluzionet përfundimtare. Me kërkesë të prokurorit të çështjes, gjykata shtyu seancën për në 19 mars, ku pritet të dëgjohet kërkesa përfundimtare e SPAK kundër të pandehurit Llalla.

Procesi ndaj ish-prokurorit në Gjykatën e Posaçme mori rrjedhë pas disa seancave të dështuara, për shkak të rekurseve të bëra prej tij në Gjykatën e Lartë, ku Llalla kundërshtoi kalimin në gjyq të çështjes, si edhe përjashtimin e gjyqtares, kundërshtime që u refuzuan.