Rama kishte thirrur kongresin për të votëbesuar sekretariatin, pjesë e të cilit është edhe Ilir Beqaj, që, sipas të gjitha gjasave, nuk ka nevojë për votëbesim, por për avokat…

10 nga prokurorët kryesorë të SPAK-ut udhëtuan dje në një vizitë zyrtare në Uashington, ku janë pritur nga zyrtarët më të lartë të qeverisë së SHBA. Megjithatë, kjo nuk përbën lajm, pra që SPAK-u shkon në Amerikë, ngase dihet tashmë qartësisht se Prokuroria Speciale është institucioni më i mbështetur i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por lajmi këtu është më i madh. Përtej Altin Dumanit, i cili edhe si kreu i SPAK, por edhe si prokurori që ka hetime kryesore në dorë, në delegacionin e 10 prokurorëve ishin edhe dy nga më të sulmuarit në ditët e fundit: përkatësisht Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja, dy prokurorët e çështjes së Klubit Partizani. Të cilët nga Sali Berisha dhe rrjeti i tij po shantazhohen me të gjitha mënyrat. Thirrja e tyre në Uashington është një sinjal i qartë se kush prek prokurorët e SPAK ka prekur qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk vonoi Amerika të merrte në mbrojtje njerëzit për të cilët ka investuar më shumë në Shqipëri.

Nga sot, sulmet ndaj Krajës e Millonait, për çështjen e Partizanit, do të konsiderohen edhe më shumë si një amerikan affair.

Por çështja nuk mbaron me kaq dhe këtë e bën të ditur në një postim zyrtar ambasada e SHBA-së në Tiranë.9

“Zyrtarë të lartë të SPAK-ut po marrin pjesë në një vizitë studimore në Uashington DC këtë javë. Të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP). Prokurorët e SPAK-ut diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës. Vizita do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI)”.

“Vizitë studimore”, çfarë do të thotë një term i tillë?

E kjo shihet hapur edhe në fotot që ilustron ambasada e SHBA-së, ku duket ish-zv.ambasadori në Tiranë që shpjegon me hollësi në një tabelë të zezë? Duket, bëhet fjalë për atë që në gjuhën Perëndimore quhen Workshope, pra leksione intensive praktike para një detyre të rëndësishme.

10 prokurorët e SPAK që kanë shkuar në Uashington, do të kenë takime me FBI, DEA e DASH, ku sipas gjasave nuk do të marrin mbështetje politike se sa SHBA mbështet shqipërinë, se këtë e di edhe bufi këtu, por do të marrin dosje, të dhëna, dhe natyrisht edhe ‘know- how’, për të cilat Amerika është numri një në botë për ekspertizën e zbulimit të korrupsionit e krimit. Gjasat janë që po bëhet fjalë për çështje specifike; nëse atje kanë shkuar titullarët e dosjes Berisha, Meta, Xhaçka, Beqaj apo të tjerë, duket qartë se me kthimin e tyre do të kemi një stuhi shumë të fortë.

E cila qartësisht u pa që në zhvendosjen e kongresit të PS-së nga Edi Rama, pikërisht kur mori vesh se 10 prokurorë të SPAK-ut kanë shkuar në SHBA.

Rama kishte thirrur kongresin e tij për të votëbesuar sekretariatin, pjesë e të cilit është edhe Ilir Beqaj. Që sipas të gjitha gjasave nuk ka nevojë për votëbesim, por për avokat.

Sinjali i Ramës ka instaluar një terror të vërtetë në PS, aq më pak kur panë se kryeministri është krejt i painformuar nga axhenda e SPAK, sa bëri ndryshimin vetëm nga një njoftim i shkurtër mbi vizitën e 10 prokurorëve. Ka shumë mundësi që kongresi të shtyhet sërish, ose nuk ka nevojë të mblidhet se në mazhorancë mund të bjerë ‘bomba me fosfor’ në prag të vitit të ri.