Shkencëtarët kinezë krijuan koronavirusin në laborator dhe më pas u përpoqën ta manipulonin atë për të zhdukur gjurmët e krijimit artificial të tij dhe krijuar idenë se ai ishte transmetuar te njeriu nga lakuriqët e natës.

Këtë pretendim kanë ngritur dy shkencëtarët, britaniku Angus Dalgleish dhe norvegjezi Birger Sorensen. Studimi i plotë i tyre pritet që të publikohet në javët në vijim në revistën shkencore “Discovery”, ndërsa një përmbledhje të përmbajtjes së tij thotë se e ka siguruar media britanike, DailyMail.

Sipas DailyMail, Dalgleish dhe Sorensen gjetën gjurmë unike të koronavirusit, që sugjerojnë manipulimin e tij në një laborator rreth një vit më parë, por që u refuzuan për botim nga revistat kryesore shkencore për shkak të besimit se virusi kishte ardhur nga lakuriqi i natës.

Në raportin përfundimtar të hetimit të përbashkët me shkencëtarët kinezë, Organizata Botërore të Shëndetësisë, që për 4 javë çoi një grup ekspertësh të saj në Uhan, tha se virusi ishte transmetuar nga lakuriqi i natës te njerëzit përmes një kafshe tjetër dhe përjashtoi si “thuajse të pamundur” krijimin e tij në laborator.

Por në fillim të këtij muaji, një grup i shkencëtarësh thanë se origjina e koronavirusit mbetej e paqartë dhe teoria se ishte krijuar në laborator duhet të merret seriozisht, deri kur të ketë një hetim të thellë dhe rigoroz të bazuar mbi të dhëna reale dhe jo hamendësime.

Edhe SHBA ka shtuar presionin në këtë drejtim. Presidenti Joe Biden urdhëroi ngritjen e një komisioni hetimor. Biden u kërkoi agjencive amerikane të inteligjencës që të hartojnë raportet e tyre brenda 90 ditëve dhe u tha gazetarëve se do t’i bëjë publike këto raporte.

Nëse pretendimet e Dalgleish dhe Sorensen provohen, atëherë edhe SHBA do të ketë “pjesën e vet të fajit” për krijimin e këtij virusi, megjithëse pa vetëdije, për financimin e laboratorit të Uhanit me 600 mijë dollarë. Ndihma u ndërpre gjatë presidencës së Presidentit Obama.