Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe është zyrtari i fundit i lartë që ka pranuar të marrë vaksinën kineze të Covid-19.

Sheiku Mohamed Bin Rashid Al Maktum, që mban edhe postin e zëvendëspresidentit dhe të sundimtarit të Dubait e bëri të ditur lajmin duke postuar në llogarinë e tij në Twitter një foto teksa po bënte vaksinën.

“Duke marrë vaksinën e COVID-19. Ne ju urojmë të gjithëve siguri e shëndet dhe jemi krenarë për ekipet tona që kanë punuar papushim për ta bërë vaksinën të disponueshme në Emiratet e Bashkuara Arabe”, shkruan sheiku.

Vaksina është prodhuar nga kompania kineze Sinofarm. Muajin e kaluar atë e mori edhe ministri i Jashtëm, Abdullah Bin Zajed dhe zyrtarë të tjerë. Marrja nga sundimtari i Dubait, e bën atë akoma më të besueshme.

Mediat raportojnë se janë vaksinuar edhe mjekë e infermierë që punojnë në vijën e frontit, në betejën kundër pandemisë. Emiratet e Bashkuara Arabe, me një popullsi prej 9 milionë 890 mijë banorësh, numërojnë mbi 135 mijë infektime dhe 497 viktima.

Vaksina e prodhuar në Kinë është në fazën e tretë, që përben edhe fazën finale të testimit klinik. Ajo është konsideruar e sigurt dhe efikase.

Në botë, kompani të shumta farmaceutike dhe kërkimore po punojnë për të zhvilluar vaksinën kundër Covid-19 dhe kanë kryer me mijëra testime.

Disa kompani janë pranë publikimit të zbulimeve të tyre. Autoritetet që i certifikojnë vaksinat në Europë dhe Kanada janë duke shqyrtuar të dhënat për disa vaksina.

Mjaft shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë aplikuar për të marre vaksina nga kompani që konsiderohen të sigurta.