Deputetët e Partisë Socialiste kanë kallëzuar penalisht në SPAK Jorida Tabakun pas takimit të kryetares së Komisionit Hetimor për Inceneratorët me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.

Deputetja Ermonela Felaj tha se takimi i Tabakut është në kundërshtim me ligjin. Deputetët e mazhorancës e akuzojnë Tabakun për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

“Ju keni shkuar pranë SPAK si kryetare e këtij komisioni hetimor pa qenë e mandatuar. Veprimi juaj është tërësisht në kundërshtim të hapur me ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore që ju detyrojnë juve dhe çdo anëtar të këtij komisioni që të mos ndërmarrë dhe ushtrojë asnjë tagër që nuk ia jep ligji dhe as ky komision përmes vendimmarrjes së vet. Ne anëtarët e këtij komisioni, kemi vendosur që t’i drejtojmë një kallëzim penal SPAK për shtetasen Jorida Tabaku, për dy vepra penale, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë veprimtari publike dhe veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Nuk mundet kuvendi i Shqipërisë të konsumojë takime me krerë të drejtësisë ku reforma në drejtësi pati këtë qëllim të largonte politikën nga drejtësia”, tha Felaj.

Ndërkohë pas kësaj mbledhja është shoqëruar me debate mes Jorida Tabakut dhe Ermonela Felajt. Tabaku tha se takimi ka ardhur pas konsultimit me anëtarët e komisionit, ndërsa akuzoi Felajn për pengim të punës së komisionit.

“E nderuar zonja Felaj, që paskeni ardhur e qete pas pushimit te një jave. Ju kishte munguar Ermonela?! Znj. Felaj nuk ishte javën e kaluar dhe zv.kryetari, z. Arben Pellumbi, tha se “nuk e dimë nëse po bëjmë mirë apo keq për këta dëshmitarë. Ndaj duhet të pyesim”. Unë në cilësinë e kryetares krijova mundësinë për një takim ne SPAK. PS është krenare që Ermonela erdhi nga pushimet jashtë dhe erdhi me pushime të plota për të punuar në këtë komision. Ashtu sikurse u diskutua në komision, në cilësinë e kryetares se komisionit, unë organizova një takim me kreun e SPAK. Të nderuar qytetarë, nuk ka akuzë më të mirë sesa nga ata që sot duhet të ishin para drejtësisë, sesa ajo që m’u be nga znj. Felaj. Felaj në konflikt te pastër interesi sepse ishte pjese e dhënies se një prej fazave te inceneratori dhe do të marrë peng punën e komisionit në javën me te rëndësishme, që duan te pengojën hetimin, dhe nuk duhet te ishte sot në komision. Na bën sot moral për diskutimin e ligjit. Bëje këtë padi edhe për Veliajn dhe Manjën. Këtë kallëzim bëje për vete dhe tre anëtare të komisionit. Keni qenë vendimmarrëse për Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Kush është në konflikt interesi është sot këtu duke u bërë mbrojtjen ne komision. Padia që sot po bën Felaj, i njëjti nga z. Zoto dhe Mertiri”, tha Tabaku.