Një grup eurodeputetësh kërkojnë largimin e shefit të politikës së Jashtme, Josep Borrell pasi e akuzojnë se ka dështuar të arrijë rezultate në takimin që zhvilloi pak ditë më parë në Moskë.

Madje sipas tyre gjatë takimit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e poshtëroi.

Në letrën dërguar presidentes së Komisionit Europian, 50 ligjvënësit argumentojnë se Borrell vazhdimisht dështoi të mbrojë interesat e Bashkimit Evropian dhe bëri deklarata të rreme në lidhje me sanksionet e BE.

Kryediplomati ishte në kryeqytetin rus, pasi një gjykatë në Moskë dënoi kritikun e Kremlinit, Navalny. Pas takimit me Lavrov, Borrell  theksoi se Europa dhe Rusia po largohen  gjithnjë e më shumë nga njëra tjetra.

Por shefi i politikës së Jashtme të unionit tashmë do të dalë para Parlamentit Europian për t’iu përgjigjur kritikave dhe kërkesës për dorëheqje.

Përveç rastit të Navalny raportet mes Moskës dhe Brukselit janë acaruar edhe për shkak të aneksimit te Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetjes qe shteti rus u jep separatistëve që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.