Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e konsideroi të trishtueshme atë që ndodhi me Partinë Demokratike.

Për median greke “To Vima”, zyrtari tha se Uashingtoni ka marrëdhënie të mira me këtë forcë politike në Shqipëri, teksa theksoi se “një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë”.

“Shpresoj që anëtarët e PD dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, u shpreh Escobar.

Përfaqësuesi special i SHBA për Ballkanin Perëndimor përsëriti deklaratën që rajoni e ka vendin në Bashkimin Europian.

Si shqetësimin më të madh përmendi ndikimet dashakeqe të vendeve të treta, siç janë Rusia dhe Kina.

“Jam shumë i shqetësuar për ndikimet dashakeqe ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon”, tha Escobar.