Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së duke dënuar me vendim të formës së prerë me 13 vjet burg Gjevi Ndokën.

Ky i fundit është vëllai i ish-deputetit të PS Arben Ndoka i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që ka kryer tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Lezhë.

Hetimet për tjetërsim pronash në bregdetin e Shëngjinit nisën në 2017 kur një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në hipotekë në emër të disa familjeve të tjera.

Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Vepra penale është kryer sipas prokurorisë me tjetërsimin e sipërfaqeve të tokës që në total kapin vlerën e 55 mln eurove.