Rreth 25 000 litra naftë dhe disa mallra të tjera të dyshuara kontrabandë u sekuestruan nga autoritetet në Durrës, në pak orë. Në pranga ranë 4 persona. Ata janë Neshat Dedej, Artem Rusto, si dhe dy vëllezërit Shpëtim dhe Roland Cani, 43 dhe 41 vjeç.

Policia e Durrësit thotë se vëllezërit Cani u arrestuan pasi “shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.”

Në vijim, policia arrestoi po ashtu Neshat Dedej, 58 vjeç dhe Artem Ruston, 49 vjeç.

Kjo pasi “gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin që drejtonte Rusto dhe ku ishte pasagjer Dedej u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë  e provës materiale, 120 shishe dhe 30 litra verë, si dhe 205 kuti me parfume të markave të ndryshëm, mallra të cilët u gjetën pa faturë blerjeje dhe të padeklaruara në doganë”.

4 të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.