Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila pak ditë më parë prezantoi ‘Lëvizjen për ndryshim’ është treguar e pakursyer kur u pyet për opozitën aktuale, Partinë Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha.

E ftuar në ‘Real Story’, Topalli thotë se opozita është treguar e paaftë, për të kryer misionin e saj përballë qeverisë përmes mekanizmave demokratike.

“Duhet të ishte pushtet moral që të realizonte kryeministrin, që ka marrë të gjitha pushtetet.

Djegia e mandateve ishte vetëm finalja,pasi edhe kur opozita ishte brenda nuk arriti në nivelin për tu ballafaquar në argumente, edhe pse i kishte të gjitha argumentet”, tha Topalli.

Sipas ish-numrit 2 të PD, dekriminalizimi është i vetmi sukses i PD në 8 vitet e fundit, por edhe kjo nismë erdhi nga grupi parlamentar 2013.

“I vetmi sukses i këtyre 8 viteve, ishte dekriminalizmi, por ishte nismë e grupit parlamentar 2013-2017, jo i udhëheqjes së forcës opozitare, por deputeteve të asaj periudhe, me dekriminalizimin i kemi bërë nder të jashtëzakonshme shtetit.

Njerëzit që dyshoheshin për rekorde kriminale në kuvend e bashkive nëse mandatin e parë kishin arrit në nivele qendrore, në mandatin tjetër mund ishin edhe ministra. Ngaqë ne e nisëm betejën me një ligj të tillë është sukses i jashtëzakonshëm, i pari dhe i fundit, por nga grupit parlamentar që vinte nga 2013”, tha Topalli.

E pyetur nëse lëvizja e re është brenda të djathtës, apo brenda PD, Topalli thotë se e djathta është fshirë totalisht nga spektri politik i vendit.

“Brenda forcës politike ku e ndjej veten është përgjysmuar vota. Nga 700 mijë vota që e ka qenë, e ka car në 430 mijë, mungojnë 250 mijë demokratë që nuk e gjejnë veten në opozitën aktuale.

Kjo më dhemb që e shoh PD të përgjysmuar, ka humbur betejat gjatë 8 viteve veç dekriminalizimit”, tha Topalli.