Ministria e Shëndetësisë raportoi se tre pacientë kanë humbur jetën 24 orët e fundit si pasojë e sëmundjes së Covid-19.

Viktimat janë një 70-vjeçar nga Tirana, një 71-vjeçar nga Lushnja dhe një 81-vjeçar nga Korça.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 887 testime për Covid-19, nga të cilat kanë rezultuar të infektuar 121 qytetarë, tha dr. Flutura Beqo. Ditën e djeshme u regjistruan 131 raste të reja.

Shpërndarja gjeografike e të konfirmuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon:

57 të prekur në Tiranë, 14 në Elbasan, 6 në Lezhë dhe Vlorë, 5 në Mirditë, 4 raste në Berat, 3 raste në Krujë, Lushnje, Patos, 2 raste në Kurbin, Dibër, Bulqizë, Gramsh, Vorë, 1 rast në Shkodër, Durrës, Fier, Librazhd, Kamëz, Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Divjakë, Fushë- Arrëz.

Në dy spitalet Covid janë shtruar 189 pacientë, nga të cilët 18 ndodhen në terapi intensive dhe 6 në intubim.

Po sot u raportua për 97 persona, të cilët mundën të shërohen nga virusi. Totali i atyre që e kanë mposhtur COVID-19 shkon në 7139 persona, – diçka më shumë se gjysma e të infektuarve, 55.8 për qind.