Bosi i mafies italiane, Matteo Messina Denaro ka mohur se i përket bandës së Cosa Nosta-s, pas arrestimit pak muaj më parë.

“Unë jam një fermer, për Cosa Nostra-n kam dëgjuar nga gazetat”, kështu është shprehur Denaro, duke mohuar akuzat ndaj tij dhe duke hequr përgjegjësitë ligjore.

“Nuk e kam më vendbanimin se më ka anuluar bashkia. Tani jam pa pasaportizim. Kushtet e mia ekonomike? Nuk më mungon asgjë. Unë kam pasur pasuri por m’i kanë marrë të gjitha. Po të kem akoma diçka do ta bëj”, është shprehur Denaro.

Arrestimi bosit të Cosa Nostra-s:

Anti-Mafia Italiane arrestoi pas 30 vitesh në kërkim bosin e mafias famëkeqe Cosa Nostra, Messina Denaro. Ai u arrestua në një klinikë private në Palermo. Ai ishte duke marrë trajtim rreth orës 09:00, kur karabinierët zbarkuan dhe mbi 100 policë u përfshinë në arrestimin e tij. Messina Denaro është dënuar dhe gjykuar në mungesë për një sërë vrasjesh, përfshirë edhe ekzekutimin e dy prokurorëve të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992.

Skeda e tij kriminale vazhdon me të tjera ngjarje të rënda si sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi që ishte kthyer në të penduarin e drejtësisë. Denaro mbikëqyri gjithashtu shantazhin, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës për sindikatat e fuqishme të krimit të organizuar Cosa Nostra. Ai thuhet se ishte i mbrojturi i Totò Riina, kreut i klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati. Edhe arrestimi i Denaro është bërë në të njëjtën datë. Por edhe pse në arrati, aktiviteti i Denaro vazhdonte ku mendohet se ai jepte urdhra vartësve të tij nga vende sekrete për ekzekutime dhe trafiqe.