Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të gjithë bazën materiale të nevojshme për zgjedhjet e ’14 majit’.

Ditën e sotme, Ilirjan Celibashi, në një dalje për mediat bëri të ditur se kanë përgatitur një aplikacion ku çdo qytetar mund të raportojë problematikat që vëren në qendrën e tij të votimit.

Ai tha sot se problematikat e raportuara do të jenë të disponueshme edhe për mediat, të cilat mund t’i ndjekin më pas rastet.
“Kushdo mund të ngarkojë në aplikacion të gjithë problematikën që sheh në ditën e zgjedhjeve”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se me vendim të qeverisë, kartat e identitetit të cilat skadojnë deri në 14 maj, do të jenë në vlefshme ditën e zgjedhjeve për të bërë të mundur votimin e tyre.

“38 kandidatë nga mbi 23 mijë kandidatë për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillit bashkiak, të cilët KQZ-ja në bazë të asaj që kanë deklaruar, por edhe indiciet e marra nga partitë, kemi vendosur të kërkojmë verifikim të thelluar nga prokuroria. Janë 10 kandidatë për kryetarë bashkie që janë dërguar për hetim të thelluar”.
Po ashtu, Celibashi bëri të ditur se Partia Demokratike nuk ka sjellë anëtaret e komisioneve për 422 qendrat e votimit si dhe PL për 75 të tilla.

“PD nuk ka sjellë anëtarët e komisioneve për 422 qendra votimi, PL nuk i ka sjellë në 75 qendra votimi”.