“Ndërmarrja e ujësjellësit duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një kope me thithlopa që fryhen me borxhet në kurriz të qytetarëve”. Kështu u shpreh kryeministri Rama, teksa njoftoi unifikimin e sistemit të Ujësjellës-Kanalizimeve gjatë lançimit të programit të BE-së për sektorin e ujit në Kamëz.

“Nuk kemi pse kemi këto ndërmarrje ujësjellësi veç e veç, duhet të kemi aksionerë që funksionojnë, së bashku brenda një ndërmarrjeje. Me implementimin e reformës, Ujësjellës-Kanalizime do të funksionojë si një i vetëm dhe nuk do të ketë më Ujësjellës-Kanalizime, Tiranë, Ujësjellës-Kanalizim Kamëz, apo Ujësjellës-Kanalizim në Kavajë. Nuk kemi pse kemi këto ndërmarrje ujësjellësi veç e veç duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku brenda një ndërmarrjeje. Mund të bashkohen dhe të gjithë së bashku të jenë aksionerë. Kjo do të thotë që jo të hidhen në rrugë njerëzit që punojnë, por të jetë në shërbim të qytetarëve, jo një kope me thithlopa që fryhen me borxhet në kurriz të qytetarëve”.

Rama tha se ky program i BE-së, i cili është jetik për Shqipërinë nuk mund të mbetet në duar të paafta, ku kanë qenë të punësuar militantë. Sipas tij, sasia e borxheve në këtë sektor ishte më e madhe se në OSHE.

“Program madhor dhe jetik për Shqipërinë, furnizimi me ujë të pijshëm në gjithë territorin, duke i dhënë fund një historie, jo vetëm 3 dekadash pluralizëm, por asnjëherë në historinë e këtij vendi furnizimi me ujë të pijshëm nuk ka qenë i siguruar 100%. Faktikisht ne kemi mbi 100 kantiere për sisteme të reja të integruara. Ujësjellësi ka qenë për të punësuar në shtet militantë, krushq, komshinj, pa pasur parasysh se për çfarë janë krijuar dhe duhen këto ndërmarrje. Sasia e borxheve është më e madhe se sasia e borxheve të OSHE kur nisëm reformën. Ky investim nuk mund të mbetet në duar të paafta, që ka krijuar shumë kosto për financat dhe qytetarët”.

Për Ramën, sektori i ujësjellësit është lënë i amortizuar dhe fragmentuar për shkak të fondeve që janë copëtuar për interesa elektorale. Ai premtoi se brenda vitit do të ketë 24 orë ujë të pijshëm në pjesën më të madhe të qendrave urbane.

“Shumë fonde për ujin u copëtuan për interesa elektorale duke mos arritur të investohet për një program të integruar dhe kemi humbur shumë fonde përtej faktit që ka pasur abuzime, por për faktin që kemi lënë krejt sistemin e furnizimit të fragmentuar dhe amortizuar. Jemi në kushtet sot kur brenda këtij viti do të kemi 24 orë ujë të pijshëm në një masë të madhe të qendrave urbane. Bashkitë ku investimet janë masive dhe duhet pak më shumë kohë për të arritur në përmbylljen e plotë të tyre.”