Për të fshehur një të vërtetë që s’të pëlqen më mirë është të heshtësh. Edhe kur ta kërkojnë ta përgënjeshtrosh një gjë që duket ashiqare e bën “mu”, nuk ka rrugë tjetër veç heshtjes. Heshtja, vetëm heshtja, mbetet në raste të tilla një sjellje e zgjuar minimalisht. Ndërsa e kundërta, përpjekja për ta mbuluar të vërtetën me gënjeshtra të tjera, është budallallëku më i madh. Ja, këtë harruan ca dashamirës të Sali Berishës që përdorën të emëruarit prej tij në krye të Federatës “Vatra” në SHBA dhe refuzuan të vetmen rrugë të mençur, heshtjen. Në vend të saj, për korrupsionin galopant të Berishës e familjarëve të tij, zgjodhën të kundërtën: Gjetën dhe nxitën një kongresmen amerikan për të pyetur sekretarin e Shtetit Antony Blinken në lidhje me vendimin “dramatik” që Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-presidentin e ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha me gjithë familjen e tij “non grata”.   

Pa kujtesë dhe mendjelehtë si të gjithë njerëzit në hall, edhe këta tanët, ia dolën ta bëjnë të vërtetë lajmin se: “Republikani Lee Zeldin i ka kërkuar Blinkenit informacione specifike për vendimin e DASH ndaj Berishës.”…  

Edhe?… 

Pastaj, mu si Berisha vetë, edhe mendjelehtët e tij si ai, besojnë se, meqë ky lajm ishte i vërtetë, njerëzit duhet t’u besojnë edhe gjithë pallavrave të tyre për “ndershmërinë” e familjes mafioze Berisha! Ishte pikërisht nevoja e mbrapshtë për të mbrojtur të pambrojtshmen që shtyu më tej këtë marrëzi. Çuditërisht, edhe këtë herë nuk munguan ca njerëz që, në vend se të heshtnin, zgjodhën të hapnin gojë. Duke i marrë njerëzit për budallenj, nuk e patën hiç për turp të dëshmonin para gjithë botës përpjekjen e tyre, sa të naive, aq edhe qesharake për të mbrojtur të korruptuarit më të mëdhenj…  

Ishin pikërisht këta që detyruan aktivistin e njohur shqiptaro – amerikan Geri Kokalari t’i tregojë dosjen voluminoze me faktet e aferave korruptive të Sali Berishës e familjes së tij, kongresmenit amerikan Lee Zeldin, bash atij që e kërkoi atë i kurdisur pikërisht nga njerëzit e “Vatrës” së Berishës.  

 Aferën kriminale të “Gërdecit” me 26 të vrarë (pa llogaritur këtu të ndjerin Trebicka) ndokush mund edhe ta ketë fshirë nga kujtesa, por kjo nuk do të thotë se gjithë shqiptarët vuajnë nga skleroza. Aty, në dosjen e paraqitur nga Geri Kokalari mund ta rifreskojnë kujtesën edhe ca njerëz atje te “Vatra” e Sali Berishës në Amerikë që nuk e kanë parë ende filmin e Hollivudit “War dogs”…  

“Vatra” e sotme nuk ngjan kurrkund me atë të parën. Nga ajo që ngriti më 1912 Fan Noli nuk ka mbetur asgjë nga fryma atdhetare dhe, për këtë, Sali Berisha ka rol parësor. Shkurt: “Vatra” e sotme (fatkeqësisht) nuk ka asnjë lidhje me atë të dikurshmen.   

Në vitet kur u krijua, krahas Fan Nolit, “Vatra” kishte emra të shquar si Faik Konica, Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleksi, Llambi Çikozi, Kristo Kirka, Elia Tromara, Kosta Vasili, Naum Cere, Kosta Kota, Mehmet Konica, Konstandin Anastas Çekrezi, Kristo Dako, Mihal Turtulli etj, që kishin për idhull Shqipërinë.   

Ndërsa sot, “Vatra” është pushtuar nga ca anonimatë me llagapin Berisha e që kanë për idhull vetëm Sali Berishën…   

Megjithatë, çdo qasje krahasuese mes dy “Vatrave”, nuk ka të bëjë vetëm me kontrastin e thellë mes emrave të individëve drejtues të djeshëm dhe të sotëm të saj. Fatkeqësisht, punët janë më keq.  “Vatra” e Fan Nolit ishte e do të kujtohet e njësuar me historinë shqiptaro amerikane. Kontributi i saj në historinë e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e shtetit e skaliti atë në memorien e çdo shqiptari si simboli të atdhetarisë.  

Ndërsa sot, “Vatra” e Berishës, mendjelehtësisht e krejt paturpësisht mbron simbolin e korrupsionit të sotëm shqiptar Sali Berisha. 

 Nolit, si udhëheqës i parë i saj, i njihet merita se i shërbeu jo vetëm konsolidimit të pozitës së komunitetit shqiptar në SHBA, por edhe rolit aktiv që ajo duhet të luante në një akt historik të pritur, siç ishte vendosja  e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Noli me shokë e udhëhoqi “Vatrën” drejt aksioneve me synime të qarta politike e me një strategji patriotike largpamëse në një kohë kur, siç thoshte Faik Konica: “Fati i Shqipërisë ishte në balancë”…   

Ndërsa “Vatra” e Berishës sot ka të vetmin synim: Të mbrojë të damkosurin familjarisht nga SHBA si “non grata”, qoftë duke bashkëpunuar me armiqtë gjeo-strategjikë të Shqipërisë…    

Shkurt: “Vatra” e sotme e Sali Berishës (fatkeqësisht) nuk ka asnjë lidhje me atë të dikurshmen e Fan Nolit dhe të shokëve të tij.  

Megjithatë, si çdo e keqe edhe kjo e ka një të mirë. “Vatra” e Sali Berishës nuk mund të ndikojë tek askush. “Vatra” sot të bën për të qeshur. Po ndodh tamam siç në këtë episod të vërtetë të ndodhur aty rreth viteve ’20 me një të marrë që shtirej si anëtar i saj që ngatërronte qëllimin me qilimin:   

“Një fshatar i kthyer nga kurbeti, kur zbriti një ditë në Korçë çuditi këdo që e pa me veshjen e tij. Kishte veshur frak të zi, në kokë kishte një cilindër po të zi dhe, ajo që të linte pa frymë nga habia, ishin këpucët që kishte mbathur: një e kuqe dhe një e zezë. 

 Disa kalamanj që i pyeti i treguan me gisht një godinë dhe ai mori rrugën për atje.  

Vij nga “Vuatra”. Dua të llafos me të parin e kasabasë. Kam porosi nga “Vuatra”. – iu drejtua rojës te porta e Bashkisë.   

Roja, një plak i vjetër nga Drenova, e mati me sy nga maja e cilindrit të zi alla amerikançe që mbante në kokë e deri tek majat e këpucëve një të kuqe e një të zezë dhe i bëri shenjë që ta ndiqte pas. E kuptoi se me ç’kishte të bënte, prandaj e çoi tek doktori i Bashkisë dhe jo te kryetari, aty ku i kërkoi ai që iu paraqit si “i dërguari i “Vuatrës””.  

-Është për ju doktor. Vjen nga Amerika. Çoç do t’ju thotë… – i tha doktorit dhe qëndroi të ndiqte bisedën.  

-Vij nga “Vuatra”. Dua të llafos me yve. Kam porosi nga “Vuatra”. Dua t’u mësoj yve t’i këndoni flamurit të mëmëdheut. – e nisi bisedën i sapoardhuri me veshjen e çuditshme me këpucët një të kuqe e një të zezë.   

Doktori iu drejtua rojës që ia solli dhe i kërkoi ndihmë: “Ç’thotë?! Nga tha se vinte zotëria?”  

Vjen nga Vatra. Nga Vatra e Amerikës të thotë o doktor. – i shpjegoi roja dhe i shkeli syrin doktorit si për t’i thënë “Lëre të qeshim pak!”.   

-Nga Vatra?! Po ky sikur e tha ndryshe!  

-Eee. Ky thotë Vuatra dhe i shtrembëron buzkat më të mëngjër që t’i duket ai dhëmbi me këllëf pe floriri që ka cazë më tutje. Andaj e thotë ashtu. Po për Vatrën e ka llafin. Për atë të Amerikës. Pe andej vjen. Ja shikoja cilindrin që mban në kokë. Ja edhe opingat: njëckë të kuqkë e njëckë të zezkë. Pe andej vjen, pe Amerike. Atje ka florinj sa i hanë me dhëmbë si ky zotëria që na ka urdhëruar.  

Po ç’porosi thatë se sillni – iu kthye edhe njëherë gjithë mirësjellje mysafirit të çuditshëm doktori.   

Po ja. Dua t’u rrëfej yve këngën për flamurnë që t’ua mësoni edhe të tjerëve.  Ju më paguani mua e, ju, merruani paratë të tjerëve. Si ndë Amerikë. Ce Amerika andaj është Amerikë ce të paguan me para në dorë. 

-Për ç’para flet? Cilën këngë do na mësosh? – e ndërpreu doktori.  

– Si cilën këngë?! Po ja, atë që fillon: Rreth flamurit të bashkuar/ Me një dëshirë e një qilim,…  

– Ëhë. Lëre, lëre! Mos vazhdoni më! Ju kuptova. Ju lutem largohuni! Bashkë mbaruam. – e ndërpreu doktori dhe i bëri shenjë rojës të shoqëronte të porsaardhurin e çuditshëm…”.  

***   

Ps: Mund t’ju duket e pabesueshme, por episodi i mësipërm është 100% i vërtetë. Për koincidencë, doktori i Bashkisë së Korçës që mashtruesi kërkonte kundrejt pagesës t’i mësonte këngën për flamurnë” qëlloi që ishte bashkëfshatar e bashkëmoshatar i autorit të himnit të flamurit (Asdrenit) dhe mik për kokë i Nolit të madh… Kush besonte se do të vinte një ditë që “Vatra” e Nolit do të përfundonte fatkeqësisht sot si “Vuatra” e shejtan – budallait mashtrues me frak e cilindër, me një këllëf floriri në dhëmb dhe me këpucët një të kuqe e një të zezë? Kush e besonte se do të vinte një ditë që “Vatra” e sotme e Berishës do të ngatërronte “qëllimin” me “qilimin” e do të merrte guximin t’i mësonte Amerikës rregullat e demokracinë?  As vetë nuk e besoja se do të vinte kjo ditë që ta ndaja me të tjerë në rrethana jo konfidente këtë histori që atëherë më bënte vetëm për të qeshur, si na bën sot  “Vatra” e Berishës,… 

Ilir Mborja