Sa herë që bie fjala për haiku-n, unë ndalem e tregoj vëmendje, sepse, në çast, më ndërmenden Betim Muço dhe sidomos, miku im më i ngushtë, poeti Milianov Kallupi, i cili kontribuoi më shumë se shumëkush gjer atëherë, me këtë formë poetike të traditës japoneze, që përcillte njëkohësisht edhe një modernitet në letërsinë tonë. Më kujtohet pra, ai, shoku më i ngushtë i imi, Milianov Kallupi, që e rizgjoi dhe e lëvroi me një përkushtim të jashtëzakonshëm këtë formë të koncentruar poetike në vitet 90 të shekullit që lamë pas. Më vinë parasysh jehona e botimeve të librave me haiku të tij dhe të Nasho Jorgaqit të botuara në Greqi… Kur bie fjala për haiku-n, kurdoherë më kujtohet edhe ajo që, i ndjeri Betim Muço, tregonte se thuhej në parathënien e përmbledhjes poetike “Kokinshiu”, shkruar nga Ki Tsurajuke që në vitin 922, se: “Poezia ka lindur që kur u nda Qielli prej Tokës”…
Shkurtimisht mund t’ju rikujtoj, se haiku është një poezi tradicionale japoneze. Kjo formë poetike andej e ka origjinën, nga Japonia e largët. E largët, si në hapësirën gjeografike, ashtu edhe në mentalitet me Ballkanin, Europën e krejt Perëndimin. Në formatin klasik, haiku është një mënyrë e koncentruar e të shprehurit poetikisht të përjetimeve emocionale që kanë lidhje me natyrën, dashurinë për të, si dhe e emocioneve që rrjedhin prej saj. Kur lindi së pari në Japoni në shekujt VI, VII, pasi u shkëput nga tanka, duke eleminuar prej saj dy vargjet e fundit (nga 5 vargje dhe 31 rrokje, 5/7/5/7/7) ajo u ngurtësua formalisht në tre vargjet e para, me 17 rrokje (5/7/5). Por kjo strukturë formale si edhe synimet për t’i kënduar vetëm natyrës, ka të bëjë vetëm me fillimet e tij. Megjithëse që atëherë në fillimet e veta haiku dëshmohet si një formë poetike që ndoqi veçoritë psikologjike të japonezëve, të cilët dallohen për raporte emocionale shumë të ngushta me natyrën, haiku, duke u shtrirë përqark gjithë globit, ka evoluar dhe është zgjeruar, si në përmbajtje të tematikës, ashtu edhe në atë të formës. Sot, duke u përhapur në të gjithë botën, ashtu si edhe në Japoni, vërehet se përmbajtja është shtrirë në hapësira shumë më të gjera, duke rrokur gjithçka emocionale që ka të bëjë me përjetimet poetike. Vetëm në tre vargje, në haiku-n tradicional, mund të flitet për jetën, natyrën apo dashurinë…
Në Shqipëri, haiku ka njohur tre a katër lëvrues të suksesshëm e tepër të përkushtuar, që e kanë përdorur me virtuozitet prej vitesh… Por kjo mund të thuhej vetëm deri para pak kohësh, kur nuk ishte shfaqur Reshida Çoba, e cila edhe ajo, nëpërmjet haiku-t, do të “flirtonte me universin”… Edhe kriteri formal, me numrin e ngurtësuar 17 të rrokjeve, nuk respektohej kurdoherë tek poetët tanë. Formalisht, në çdo rast, deri para pak kohësh, tek dy lëvruesit tanë më të shquar, si Jorgaqi e Kallupi, ruhej vetëm tre vargëshi. Në botë, si edhe në Japoni, sot haiku shkruhet në të dy variantet, që do të thotë, si në atë klasik, ashtu edhe në atë modern. Si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Ana formale ka pësuar transformim tërësor në strukturë. Në botë, haiku ka kohë që është shfaqur i shkruar edhe me një varg të vetëm. Edhe Reshida Çoba, e zhytur në oazin e perëndishëm të meditimeve lirike të saj, ashtu e ka shkruar këtë radhë në vëllimin e saj poetik. Libri i ri poetik “letër për një Re” fillon me hajku trevargëshe, vazhdon me dy, pastaj, në fund, janë ato me një varg. Për ta mbyllur shpjegimin e historisë sonë shqiptare për këtë formë poetike, mund të përmendim edhe një herë se, i pari që e solli tek ne haiku-n nëpërmjet shqipërimeve, ishte Petraq Kolevica. Pas tij, më gjerësisht, ai u përkthye nga japonishtja në shqip dhe u lëvrua nga poeti ynë i mirënjohur, i paharruari Betim Muço, që ndërroi jetë para një viti. Ndërsa, për një përkushtim të jashtëzakonshëm, pothuajse me një admirim gati flijues ndaj haiku-t, historia do të njohë Milianov Kallupin (1948 – 2013) jo vetëm si lëvrues “i marrosur” i tij, por edhe si rizgjuesin dhe përhapësin e kësaj forme poetike emancipuese në letërsinë shqipe. Ai ishte edhe themeluesi i “Klub – Haikut Shqiptar”…
Por, duke qenë më së shumti një kumt lirik i koncentruar, haiku-t i shkon për shtat imazhi që shpreh një ndjenjë, emocion, apo çast të caktuar. Haiku tradicional përbëhet nga 17 rrokje. Pra, vetëm ai, tradicionali. Ndërsa sot, mund të konsiderohet si haiku, edhe ato me dy vargje, apo edhe me një varg të vetëm, si psh ato të Reshida Çobës, që na i sjell në vëllimin më të fundit “letër për një Re”, realizuar këto ditë prej shtëpisë botuese “ada”… Në kapitullin e parë gjejmë haiku me tre vargje si psh: “pyetjet e natës/ vdesin të gjejnë zgjuar/ gra si unë”, “ai e zhvesh/ lulet e fustanit/ çelën në duart e tij”, apo: “pa pyetur vjen lemza/ rri sa do/ mesazh nuk le”… Në të dytin kapitull pasojnë haiku-të me dy vargje, si psh: “më të turpshme se gjethet/ era s’gjen dot të dashura”, “mbrëmjeve merakosem për dritën / ku të ketë ikur e vetme”, ose “me një dimër flenë/ tre stinët femra”, apo dy vargëshi brilant erotik, më i nxehtë dhe më i pastër gjer në sterilitet prej pornografisë banale: “me erë i njeh krimbi/ gratë me mbathje mëndafshi”, për të mbërritur tek haiku-të vetëm me një varg: “çdo dallgë teshtin në breg” “haiku im nën gjykimin e një kumbulle” e plot të tjera që, për nga niveli sipëror artistik, i bëjnë nder jo vetëm poetes por edhe poezisë sonë bashkëkohore…
E përmenda këtë histori të shkurtër të haikut, për të theksuar më tepër, se Reshida Çoba duke vepruar në zhanrin më të vështirë poetik, do të përballej me problemin për të sjellë risi dhe origjinalitet në këtë rrugë të shtruar nga pararendësit e saj të shquar që përmendëm… Në këtë “aventurë”, përveç talentit, poetes do t’i duhej edhe sintezë mendimi, forcë imagjinate, pasuri leksikore, po edhe sintaksore, për të shprehur gjuhësisht mendimin dhe imazhin poetik, në mënyrën më të koncetruar të mundëshme. Dhe ajo ia doli mbanë për mrekulli të gjitha këtyre.

Pas dy vëllimeve me poezi në stilin e haiku-t, të titulluara: “Unë Gruaja R”, dhe “Flirtoj me Universin”, vetë Nasho Jorgaqi, poeti më suksesiv sot i haikut modern tek ne, duke folur nga pozitat e studiuesit, “detyrohet” të pranojë, se “sfidantja” e tij, Reshida Çoba është: “Një grua me dinjitet, që di ç’thotë e di ç’kërkon, me formim bashkëkohor, e frymëzuar nga ide dhe ndjesi të emancipuara… Një grua mendjehollë dhe delikate, aq sa e bën për vete lexuesin… (dhe) që është e lidhur me fenomenet poetike të kohës së saj…”
Ndërsa shkrimtarja Diana Çuli vëren se: “…Dashuria dhe të gjitha format e saj, në poezinë e Reshida Çobës nuk ka asnjë rrezik të bjerë pre e sentimentalizmave, melankolive të përlotura, dhimbjeve dashurore të skematizuara…
Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundëlluese në vargjet e një gruaje mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike. Vetëm poezi të tilla krejt vetjake, të përjetuara në mish e gjak mund të të çlirojnë nga mendimi se poezia po bëhet gjithmonë e më e ftohtë dhe e sajuar prej librash të lexuar që pjellin libra të tjerë. Vetëm poezi të tilla jete vijnë të freskëta si vende që nuk i ke parë, si ujëra që nuk i ke pirë dhe si bar në të cilin ende nuk je shtrirë për të parë qiellin.” nënvizon poeti Petrit Ruka.
Ndërsa kritiku letrar Fatbardh Rustemi, duke trajtuar problemin delikat të temave erotike të poetes, shprehet se: “Reshida Çoba edhe kur guxon të vërë pikëpyetje mbi monogaminë, rrëzon tabunë duke shenjtëruar dashurinë, tek e cila mbahen të gjitha vlerat njerëzore, te butësia femërore, te delikatesa, te shfaqja e një shpirti të dlirë, feminiliteti me ngasje të bukura qendron gjithë pushteti poetik lirik, romantik e sensual i poetes.”
Duke u pajtuar plotësisht me këto konstatime të këtyre që citova më sipër, dua të nënvizoj dhe të shtoj edhe një vlerë tjetër të poetes sonë. Konkretisht atë që vihet re në poezinë erotike: Moderne, lirike si ajo, e pastër si një femër virtuale, kam bindjen se Reshida Çoba mban vendin e parë në poezinë tonë me temën fraxhile të lirikës erotike. E mençur si rrallëkush dhe virtuoze e komunikimit të nëntekstit, ajo e kapërcen mrekullisht rrezikun (e hollë sa një fije floku) për të mos rënë në banalitete pornografike. Erotika në vargjet e saj është vetëm një manifestim lirik i ndjenjave thellësisht sublime,.. dhe i përjetimeve, që vetëm arti i një poezie elegante mund t’i përshkruajë… Kur lexon vargjet e “letër për një Re“, të krijohet përshtypja, se, hajku i poetes Reshida Çoba, është i vetmi modalitet i shprehjes së koncentruar, që mund të paraqesë artistikisht erotikën…
Kur mbyll faqen e fundit të “letër për një Re” të poetes Reshida Çoba, futesh në mendime dhe fillon të kuptosh, pse në historinë e njerëzimit nuk ndeshim emra të femrave filozofe… Duket se femrat që kanë aftësinë të lindin filozofë, për vete, historikisht, kanë zgjedhur vetëm një rrugë, për të përcjellë mesazhet e tyre, atë të poezisë… Poeteshat, ndryshe nga filozofët meshkuj, nuk e kanë aftësinë të jenë gjysmë të sinqertë, siç e kërkojnë ndonjëherë deduksionet filozofike, kur bie fjala për DASHURINË, ndjenjën më sublime që mban gjallë universin… Prandaj femrat zgjedhin vetëm poezinë për t’iu qasur asaj… Edhe me autoren e “letër për një Re” kështu ka ndodhur. Megjithëse e di shumë mirë se: “zjarri i dashurisë ndizet gjithmonë në mes“, ndryshe nga meshkujt, poetesha Reshida Çoba nuk parapëlqen që vështrimet poetike të zbresin më poshtë se gjinjtë e femrës, për të mbetur në mes të rrugës, ku e kërkon pjesa zoologjike e burrave, “epshi, ky budalla i bukur“…Haiku i fundit i saj me një varg që mbyll këtë vëllim të saj: “i njëjti breg gjithmonë më pret ndryshe” të bën të besosh, se, risia në erotikë, është boshti i universit për të mbajtur gjallë dashurinë. Edhe në poezi, risia që sjell me haiku-të e saj Reshida Çoba, mban letërsinë shqipe të gjallojë plot elegancë në modernitetin e universit poetik…

_____

Ilir MBORJA

15/12/2016