Ka ndërruar jetë në spital, Gazment Kurmaku, kryekamarieri i Fish City në Elbasan, i cili u qëllua me thikë, pak ditë më parë nga një klient.

Kurmaku nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve. Lajmi është konfirmuar nga vetë restoranti, përmes një postimi në Facebook.

Ai u godit nga Erjon Llapushi, personi që shihni në foton më poshtë. Ngjarja ndodhi për tavolinën e rezervuar nga Llapushi.

Si ndodhi ngjarja e rëndë

Pesë ditë më parë, saktësisht në datë 2 Tetor, Gazment Kurmaku, i cili ishte shef shërbimi në kompleksin e Gjergj Lucës, Fish City, në Labinot në dalje të Elbasanit në drejtim të qytetit të Librazhdit, u qëllua me grushte, thikë dhe sende të forta nga një klient, i cili nuk pranoi faktin që tavolinë ku ishte ulur, ishte rezervuar.

Erjon Llapushi kishte shkuar si klient në restorant, por 50-vjeçari që ishte në krye të detyrës si shef i kamarierëve e njoftoi se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar për disa klientë të tjerë.

Llapushi kundërshtoi dhe debati agravoi. Sipas burimeve nga Policia e Elbasanit, që rastin e njoftoi si sherr banal, Llapushi e goditi Gazment Kurmakun me grushte dhe sende të forta. 50-vjeçari ra duke përplasur kokën me një pjesë betoni duke përfunduar në gjendje kome.

Pas ndihmës së parë në spitalin e Elbasanit, 50-vjeçari u transportua në Tiranë në “vdekje klinike”. Pavarësisht përpjekjes së mjekëve, mbrëmjen e sotme ai ndërroi jetë. Ndërkohë që autori i plagosjes me pasojë vdekjen, Erjon Llapushi është ende në arrati.