Drejtuesi politik i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj, ka deklaruar se selia rozë ka fituar me 705 të votave në zonën e Krrabës dhe Shëngjergjit. Veliaj e konsideroi këtë fitore si një “super rekord”.

“Ajo renditje e numrave dhe e kutive në zonën rurale përkon me atë që quhet Malësia e Tiranës. Kemi deklaruar fitoren e Dajtit dhe Bërzhitës. Më vjen mirë që sot kemi një super rekord për PS 70% me fitoren e Kërrabës dhe në Shëngjergj”, tha Veliaj.

Drejtuesi politik i Tiranës u ktheu përgjigje edhe akuzave të opozitës ku tha se kutitë që janë numëruar nuk janë të zgjedhura, por janë numëruar sipas rendit.

“Jam shumë i lumtur për ta mbyllur këtë ditë kaq të ngarkuar. Kemi punuar në zonat rurale me numërimin duke qenë se ka dhe liderë politikë që thonë se ka teori konspiracioni që kapet kjo kuti, kapet ajo kuti. Për gjithë ata që nuk kanë qenë numërues, në fakt ka një rend, siç numërojmë nga njëshi deri tek dhjeta, kështu numërohen dhe kutitë. Kush lider politik që për të mbajtur të vetët me gajret sajon histori të tipit që kjo është majtë dhe e djathtë qartazi nuk e ka bërë kurrë gavetën as tek partia e vet, as nuk ka qenë vullnetar dhe numërues sepse minimalisht do e dinte që nuk është zgjedhja e dikujt cilat kuti zgjedh, por është mënyra si renditen numrat dhe përfundon”, tha Veliaj.

Më herët, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se deri më tani janë numëruar votat e bastioneve të PS-së.