Ministri i Jashtëm i Turqisë: Gati të takohem me Dendias në Tiranë. Përgjigjet Athina

Vizitat e Kryeministrit Edi Rama në Turqi dhe më pas në Greqi janë përfolur si rol negociatori për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve.

Pas këtyre vizitave, Turqia ka hedhur e para hapin duke i bërë thirrje Greqisë që të rifillojnë dialogun.

Është ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, që ka ftuar homologun e tij grek Nikos Dendias për t’u ulur në bisedime brenda muajit Janar.

Dhe këto bisedime duket se do të ndodhin në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë.

“Ne kemi besim tek vetja dhe pas ftesës së Edi Ramës, unë jam gati të takohem me Nikos Dendias në Tiranë. Kjo është ftesë dhe shpresoj që Greqia nuk do ta refuzojë”, deklaroi sot ministri turk Çavusoglu.

Pas ftesës që ministri i Jashtëm i Turqisë Çavusoglu i bëri homologut të tij grek Nikos Dendias për t’u takuar në Tiranë me qëllim nisjen e dialogut për mosmarrëveshjet mes tyre, ka reaguar edhe Greqia.

“Athina nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Alexandros Papaioannou tha për gazetarët grekë se deri më tani Ministria e Jashtme e Greqisë nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga Ministria e Jashtme turke për të nisur dialogun për ndarjen e zonave detare.

“Greqia ka shprehur gatishmërinë e saj në këtë aspekt në rast të një ftese nga pala turke”, shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Greqia dhe Turqia nuk po gjejnë konsensus për ndarjen e zonave detare në Egje. Athina zyrtare ka deklaruar zgjerimin me 12 milje në det, gjë që kundërshtohet nga Ankaraja.

Javën e kaluar, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare 2 ditore në Turqi. Prej andej, u nis drejt Greqisë ku u takua me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias dhe me Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.