Shkencëtarët në Islandë kanë raportuar se vendi ka pësuar mbi 50 mijë lëkundje sizmike në 3 javët e fundit, megjithatë fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar apo dëme.

Fenomeni nuk është i panjohur për shkencëtarët dhe sipas tyre bëhet fjalë për një aktivitet vullkanik që pritet të shpërthejë nga dita në ditë.

Fatmirësisht banorët e Islandës duket se janë mësuar tashmë nga këto lëkundje dhe nuk iu bëjnë shumë përshtypje.

“I ndjejmë lëkundjet gjatë gjithë kohës, duket sikur po ecën mbi një urë që lëkundet”, thotë një banor i qytezës së Grindavik. Kjo qytezë ndodhet në jug të gadishullit të Reykjanes, një zonë me aktivitet të lartë vullkanik dhe sizmik.

E pozicionuar mes pllakave tektonike të Euroazisë dhe Amerikës së Veriut, Islanda përjeton shpesh tërmete, teksa pllakat tektonike lëvizin ngadalë në kahe të kundërta, rreth 2 centimetra çdo vit.