Shefi i Ndrangheta-s Rocco Morabito u arrestua në Brazil në një operacion të përbashkët nga karabinierët e Ros dhe Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor, me bashkëpunimin e DEA, FBI dhe Departamentit të Drejtësisë të SHBA. Morabito, ishte në kërkim që nga viti 1994. Ai ishte në listën e 10 të arratisurve më të rrezikshëm të Ministrisë së Brendshme italiane.

Bosi ishte arrestuar në vitin 2017 në Uruguaj pas 23 vitesh në arrati, por dy vjet më vonë ai arriti të arratisej nga burgu i Montevideo ku po priste ekstradimin në Itali.

Rocco Morabito u arrestua në një hotel në Joao Pessoa, kryeqyteti i shtetit të Paraiba, së bashku me dy të huaj të tjerë, sipas ministrit brazilian të Drejtësisë, Anderson Torres.

“Arrestimi nga policia federale demonstron, edhe një herë, angazhimin tonë për të luftuar krimin”, tha Torres.

Një tjetër i arratisur, Vincenzo Pasquino, me origjinë nga Torino, gjithashtu i përfshirë në listën e të arratisurve të rrezikshëm, u arrestua me Morabito. Grupi policor i Locri dhe ata të komandave provinciale të Reggio Calabria dhe Torino gjithashtu bashkëpunuan në hetimin që çoi në arrestimin e të dyve.