Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve fundit kanë krijuar probleme, kryesisht në zonat jugore të vendit.

Afro 900 ha tokë e dhjetëra banesa janë përmbytur në zonën e Vlorës dhe Fierit. Situata më problematike paraqitet në Novoselë ku 7 shtëpi janë në ujë, ndërsa që 4 banesa të tjera janë përmbytur në fshatin Fitore.

Në Selenicë, në zonën e quajtur ‘Bishti i Malit, ka prezencë të ujit në rrugë, ndërsa dëmtimi i Ura së Mesaplikut ka izoluar rreth 300 banorë të zonës.

Si pasojë e prurjeve të ujit gjatë natës, diga e urës së Mifolit në Fitore është çarë dhe uji po rrezikon banesat pranë bregut të lumit.

Përmbytjet në Novoselë, Leli: Hera e parë që shikoj një situatë të tillë

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, u shpreh se situata nga përmbytjet në Novoselë është e rëndë.

“Brezat e rinj nuk e kanë parë kurrë diçka të tillë. Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që niveli i ujit të Vjosës të ketë kaluar urën e vjetër. Unë e shikoj për herë të parë. Prurjet janë pafund. Shpresojmë që situata të ndryshojë. Ne jemi duke bërë maksimumin, njerëzit janë njoftuar që në orët e para të ditës së djeshme”, tha Leli.

Kreu i Bashkisë Vlorë shtoi se autoritetet po i qëndrojnë pranë banorëve të zonës dhe 15 familje janë evakuuar.

“Të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm për të monitoruar situatën, që e ka kaluar çdo lloj pritshmërie”, theksoi Leli.

Lumi ka dalë edhe në anën e Fierit. Problematikat më të mëdha janë shfaqur në fshatin Feras dhe Cerven, aty ku është dashur evakuimi i 15 familjeve. Disa dhjetra sera ndodhen nën pushtetin e ujit.

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako, që po ndjek nga afër situatën e përmbytjeve në Fier dhe Vlorë foli për situatë kritike, ndërsa u bëri thirrje banorëve që të largohen nga shtëpitë.

Afro 3700 abonentë në fshatrat Hekal, Fratar, Selite, Kute kanë mbetur pa energji elektrike. Problem ka edhe me furnizimin me ujë të pijshëm.

Edhe në Pogradec dy njësi administrative Dardhas dhe Trebinjë janë pa energji elektrike prej 48 orësh. Ndërsa në Dardhë të Korçës trashësia e borës ka arritur në 70 cm duke krijuar vështirësi në qarkullim. E njëjta situatë paraqitet edhe në Voskopojë dhe në Qafën e Qarrit.

Reshje të dendura dëbore përfshinë Dibrën dhe Bulqizën. Për pasojë janë të bllokuara rrugët që lidhin Peshkopinë me Njësit Administrative Lurë, Selishtë, fshatrat e Kalasë së Dodës dhe Sllovës.

Autoritetet po ashtu bëjnë me dije se vështirësi ka edhe në qarkullimin e rrugëve kombëtare.