Kur të rinjtë hyjnë në galeritë e minierave të Bulqizës, mësojnë fillimisht të pajtohen me “kodin e heshtjes” që i rri si mantel çdo aksidenti a vdekje.

Zanatin e mësojnë nxitimthi, – tregon për emisionin Vetting në ABC News ish minatori Ferhat Kurti me më shumë se tri dekada  punë në minierë.

“Kur hyra për herë të parë në minierë, nuk e dija ku po shkoja, komplet botë tjetër. U futa poshtë dhe nuk mund ta kuptoja. Ecja, nuk e dija ku, më kapi një shok për dore, më tregoi rrugën”- tregon ish minatori.

Pavarësisht puseve që ka hapur, e kromit që ka grumbulluar, situata financiare e Ferhat Kurtit nuk ka ndryshuar prej ditës së parë kur nisi punën. Jeton në pallat punëtorësh, dhe në bankë numëron kreditë që i janë dashur për të përballuar operacionet që i është nënshtruar si pasojë e punës në minierë dhe rritjen e fëmijëve.

Dy infarkte të kaluara në brendësi të galerive e gishtat e prera të njëjtës dorë, janë vetëm shenjat e dukshme fizike, që tregojnë jetën e vështirë të tij.

Më mirë se kushdo vuajtjet e tij, i njeh e ëma, që e ka përcjellë çdo ditë skutave të minierave. Për 3 dekada me radhë, nëna e tij, si shumica e grave të Bulqizës, me dhimbjen që u kaplon shpirtin, është përshëndetur me djalin e saj, duke lënë një lamtumirë pezull deri në kthim.

“Një djalë që kam minator… ka vujt si Krishti, si Krishti kur them, ka vujt si krishti… Shkonte pa bukë në mëngjes gjithnjë, se s’kisha ça t’i jepja me vete…Vetëm vinte, hante darkë… Qeveria nuk të sheh hiç, a ke hall a si e ke hallin.. A të sheh? Hiç nuk të sheh… A duam llafe të bukura ne në televizor, apo duam të hamë… Si thua ti?  Se sa nëna qajnë, se sa fëmijë mbeten jetimë, halli sot nuk i qahet dot më askujt”,  tregon ajo.

Pavarësisht varfërisë, me vdekjen që përgjon minatorët në galeri, kjo nënë ndihet me fat që të birin e ka gjallë. Janë 50 minatorë që vetëm në 7 vitet e fundit kanë dhënë në miniera frymën e fundit. Ndërsa më shumë se 257 kolegë të Kurtit, kanë në trup plagë e gjymtime të parikuperueshme të shkaktuara gjatë aksidenteve në punë.

Vdekjet  “të sistemuara” zyrave me gjoba modeste, bëjnë që minatorët, të heshtin e të frikësohen. Çdo fjalë e thënë prej tyre mund t’u heq bukën e gojës, apo akoma më keq të lihen të pambrojtur ndaj kërcënimeve “të të fortëve” që zotërojnë arin e nëntokës.

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse aksidentet apo vdekjet në miniera,  fshihen dhe për to manipulohet e vërteta .

“… në një sektor ku ndodh aksidenti…këta e bllokojnë.  I vendosin një kryq që kur të vijë ISHM-i,  se ata kontrollojnë minierat, i çojnë ata që ishin aty, në turn të tretë që nuk ka kontroll…”-tregon minatori.

Harta e zezë e aksidenteve dhe vdekjeve të punonjësve gjatë një viti, për shkak të minierave e karrierave prek kulmin në qarkun e Dibrës.

Viti 2018 ka shënuar një nga periudhat më tragjike, me 42 të aksidentuar e 8 të vdekur në minierat e këtij qyteti.

Masat që janë marrë janë thuajse të papërfillshme: 20 paralajmërime, 3 pezullime dhe 7 gjoba me vlerë 840 mijë lekë. As që nuk ndihen në xhepat e kamur të pronarëve të minierave ku punëtorët e varfër kanë lënë jetën.