Konsorciumi i gazetarëve investigativë ndërkombëtarë ka publikuar hartën me vendet e përfshira në “Pandora Papers” dhe në dosjet e rrjedhura është të paktën një politikan shqiptar.

Sipas ICIJ (International Consortium of Investigative Journalists) janë mbi 334 politikanë që përmenden në thuajse 3 terrabyte material që zotërojnë të shpërndarë në 90 vende të botës.

Në rastin e Shqipërisë, harta e gazetarëve investigativë tregon një politikan, që del nga rrjedhja e dokumentave sekrete.

Por çfarë përmbajnë dokumentat sekrete? Sipas BBC dhe The Guardian skandali është i përmasave të mëdha dhe mund të trondisë shtete e regjime të tëra në botë. Nga të dhënat e administruara deri më tani, aty del Mbreti i Jordanisë me prona me vlerë të paktën 100 milionë dollarë të fshehura në SHBA dhe Britaninë e Madhe, Vladimir Putin me asetet miliona euroshe në Monako, Tony Blair që shmang mijëra euro taksa në Londër dhe Kryeministri Çek me vila të paktën 20 milionë euroshe në Francë.

Në lidhje me politikanin shqiptar të përfshirë në këto dosje ende nuk është publikuar ndonjë informacion. ICIJ thotë se ka angazhuar qindra gazetarë nga mbarë botë që po merren me zbërthimin e morisë së dokumentacionit, që thotë se është në format PDF, foto, video dhe audio.