Një raport i kohëve të fundit ka zbuluar se ka të dhëna të besueshme që forca elitë të Australisë kanë vrarë në mënyrë të paligjshme 39 persona gjatë luftës në Afganistan.

Forca e Mbrojtjes Australiane ka bërë publike këto gjetje pas një hetimi 4 vjeçar për sjelljet e këqija të ushtarëve të saj. Sipas këtij raporti, të paktën 19 ushtarakë duhet të hetohen nga policia për vrasjen e të burgosurve, fermerëve apo civilëve nga viti 2009 në 2013.

Hetimi i drejtuar nga Gjeneral Majori Paul Brereton përfshin dëshmitë e mbi 400 personave dhe ka gjetur prova të tmerrshme.

Kështu ushtarëve të rinj iu kërkohej të bënin vrasjen e parë duke qëlluar një të burgosur, një taktikë kjo e njohur me emrin “blooding”. Viktimave iu viheshin pranë armë apo eksploziv për të mbuluar shenjat e krimit. Por ka dhe dy raste që po hetohen për krime lufte.

Autoritetet në Afganistan janë vënë në dijeni të këtij raporti dhe kanë shprehur besimin se Australia do të bëjë gjënë e duhur dhe do të vendosë drejtësi.

Në raport thuhet mes të tjerash se 25 forca speciale kanë marrë pjesë direkte në vrasje të paligjshme në 23 incidente të ndryshme dhe sipas gjeneralit Campell asnjë nga incidentet nuk ka ndodhur gjatë ndonjë beteje.