Një gjykatë e Arabisë Saudite dënoi të hënën tetë persona me burgime nga shtatë deri në 20 vjet për vrasjen në vitin 2018 të gazetarit saudit Jamal Khashoggi, sipas njoftimeve në media.

Vendimi vjen katër muaj pasi familja e gazetarit i fali vrasësit dhe bëri të mundur shmangien e dënimeve me vdekje.

Jamal Khashoggi, kritik i Princit të Kurorës saudite Mohammed bin Salman, u pa për herë të fundit në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018, ku kishte shkuar për të marrë dokumente për dasmën e tij të ardhshme.

Trupi i tij thuhet se u copëtua dhe u nxorr nga ndërtesa, ndërsa eshtrat nuk janë gjetur.

Vrasja shkaktoi protesta në të gjithë botën dhe njollosi imazhin reformist të Princit Mohammed, i biri i mbretit Salman dhe sundimtar de facto i mbretërisë.

Media shtetërore njoftoi se pesë personave iu dhanë dënime me nga 20 vjet burg, njërit 10 vjet dhe dy të tjerëve nga shtatë për vrasjen.

Asnjë nga të pandehurit nuk u përmend me emër. Në një fazë të hershme të gjykimit, në dhjetor, gjykata dënoi pesë persona me vdekje dhe tre me burg, duke thënë në atë kohë se vrasja nuk ishte e paramenduar, por ishte kryer “në rrethanat e momentit”. Edhe në atë rast, asnjë nga të pandehurit nuk u përmend me emër.

Disa qeveri perëndimore, si dhe CIA, thanë se besonin se vrasja ishte urdhëruar nga Princi Mohammed.

Zyrtarët sauditë mohuan që ai të kishte luajtur rol, por në shtator 2019 Princi foli për disa përgjegjësi personale, duke thënë se “kjo ndodhi nën mbikëqyrjen time”.

Në maj, familja e gazetarit tha se i falte vrasësit e tij, duke i hapur rrugën zbutjes së ndëshkimit për të pesë të pandehurit e dënuar me vdekje.

Në Arabinë Saudite, e cila nuk ka një sistem të kodifikuar juridik dhe ndjek ligjin islam, mëshira e shprehur nga familja ndaj një viktime në raste të tilla mund të çojë në falje zyrtare dhe ndalimin e ekzekutimit.