Deputeti Lulzim Basha ka reaguar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje për të cilën janë lënë në “arrest shtëpie”, Albert Nushi dhe Niko Palla, ish-drejtues policie.

Në përmjet një postimi në Facebook, Basha shprehet se Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave.

“Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit”, shprehet deputeti.

Ai nënvizon se para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.

“Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima”, shkruan Basha.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit ndodhi në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.