Olta Xhaçka ka marrë këtë të martë zyrtarisht detyrën si ministre e Jashtme. Nga ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u zhvillua një ceremoni për kalimin e stafetës ku pjesëmarrës ishin përveç Xhaçkës edhe kryeministri Edi Rama e ish-ministri në Detyrë, Gent Cakaj. Në fjalën e tij, ky i fundit tha se është punuar në rrethana të vështira. Tërmeti dhe pandemia sipas Cakajt kanë cënuar punën e diplomacisë.

“Shërbimi në punët e jashtme është nderi më i madh i jetës sime dhe unë i jam përjetë mirënjohës Shqipërisë”, tha Cakaj. Cakaj tha se do të vazhdojë angazhimin në Shqipëri, ndërsa premtoi se do të jetë mbështetësi më i madh i Olta Xhaçkës.

Ndërkohë kryeministri falënderoi Cakajn për detyrën, e duke kujtuar mënyrën se si u vu ministër në detyrë, tha se nuk ka qenë e lehtë.

“Dua ta falënderoj nga zemra Gentin për gjithçka që bëri në këto 2 vjet në këtë detyrë aspak të lehtë. Përveç faktit që u godit në mënyrë sa absurde dhe aq të shëmtuar për të qenë i paragjykuar ia doli ta mbajë me sukses barrën dhe të tregojë hap pas hapi cilësitë e tij krejt të veçanta që jam i bindur që do i shpalosë të plota në të ardhmen”, tha Rama.

Sipas Ramës, Xhaçka është në lartësinë e duhur për ta çuar përpara punën e kësaj ministrie.

“Jam i lehtësuar sot që këtë angazhim mund t’ia kaloj Oltës”, tha Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi se pas kryesimit të OSBE-së, tashmë sfida e radhës është të qenit pjesë e tryezës së Këshillit të Sigurimit.

“Duhet t’ia dalim deri në fund sfidës jo më pak të lehtë të qenit pjesë e tryezës së Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara”, tha Rama.

Ministrja e re Olta Xhaçka u shpreh se është e privilegjuar që ka marrë detyrën e se, ndërsa theksoi se nuk do të mjaftohet me punën që është bërë.

“Jam e privilegjuar që do të kem këshilltarë një dyshe si ju. Jam e vetëdijshme që puna që keni bërë e bën punën time më të lehtë. Nuk do më duhet të nis asgjë nga zero. Puna nuk është asnjëherë mjaft dhe nuk do të mjaftohem asnjëherë me atë që është bërë apo që vartësit e mi janë mësuar të bëjnë”, tha Xhaçka.