Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë nënshkruan mesditën e së enjtes marrëveshjen për bashkëpunim në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Sipas marrëveshjes, PD dhe PL vendosin që “konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë”.

Meta dhe Berisha dakordësohen në 6 pika:

-Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të -përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

-Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.

-Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

-Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.

-Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.

Në dokument sqarohet se kjo marrëveshje mes partive u bë për 5 arsye kryesore të cilat janë: për shkak të korrupsionit shkatërrimtar; të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor; të shpopullimit masiv dhe tragjik; të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin; të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.