Arsenal armësh është zbuluar në një banesë në qytetin e Elbasanit në lagjen “Visarion Xhuvani”. Armët janë gjetur në shtëpinë e 44-vjeçarit me iniciale G.P., i cili u arrestua në flagrancë.

Konkretisht, policia sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë  luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti, një thikë dhe 7 karikatorë.

Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje  kriminale të ndodhura më parë.

Materialet  i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore  Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe  prodhimi i armëve,  armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.