Një skemë e mirëfilltë e transportit të emigrantëve të paligjshëm kundrejt fitimit është zbuluar nga Policia e Tiranës. Në kuadër të operacionit të koduar “COMPLEX”, janë arrestuar 5 persona dhe proceduar penalisht dy të tjerë.

Këta persona kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri shqiptaro-grek në zonën e Devollit drejt Tiranës. Më pas strehoheshin nga dy motrat Drita dhe Sanije Shehi në hotelet e tyre në zonën e Laprakës.

Më pas me ndihmën e djalit të njërës prej tyre Rigers Vejsiu, emigrantët e parregullt niseshin drejt Kukësit me qëllim kalimin e tyre në Kosovë, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Sipas policisë, përveç trafikimit të klandestinëve, kishin të organizuar edhe një linjë tjetër trafikimi të shtetasve të huaj që hynin me dokumentacion të rregullt në vendin tonë për qëllime turistike apo punë me leje qëndrimi. Pasi hynin në mënyrë të rregullt nga aeroporti i Rinasit ata organizonin punën për trafikimin tyre.

Të arrestuarit dyshohen se gjatë veprimtarisë së tyre disa vjeçare kanë trafikuar një numër të konsiderueshëm emigrantësh të paligjshëm dhe personave që hynin në vendin tonë me dokumentacion të rregullt.

Rasti më i fundit i trafikimit të kryer nga ky grup, ishin 4 klandestin të cilët u kapën në hyrje të Tiranës, pasditen e se premtes. Në përfundim të operacionit u sekuestruan 72 pasaporta, 37 leje qëndrimi, mjete identifikimi, automjete si dhe një shumë parash.