Kongresi Amerikan ka pritur me duartrokitje fjalimin virtual të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, nga Ukraina që mes duartrokitjeve deklaroi: “Jam krenar t’iu përshëndes nga Kievi, viktimë e bombardimeve ruse çdo ditë, por ne nuk dorëzohemi, si çdo qytet tjetër.

Zelensky, tha para Kongresit amerikan se “fati i vendit të tij po vendoset në këto momente”.

“Kievi është çdo ditë nën sulmet ajrore nga trupat ruse. Por, nuk dorëzohet. Jemi në luftën më të ashpër që nga Lufta e Dytë Botërore. Kemi 8 vite që i rezistojmë agresionit rus. Po japim djemtë dhe vajzat më të mirë për të ndalur këtë pushtim nga ana e Rusisë”, tha Zelensky.

“Në këto momente, po përcaktohet fati i vendit tonë. Po vendoset nëse ukrainasit do të jenë të lirë, nëse do të jenë të aftë për të ruajtur demokracinë. Rusia nuk na ka sulmuar vetëm ne, jo vetëm tokën tonë, jo vetëm qytetet tona, por edhe vlerat tona njerëzore”, shtoi Zelensky.

Presidenti ukrainas i kërkoi ligjvënësve amerikanë, që të kujtonin sulmin në Pearl Harbor gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 11 shtatorin. sulmin mbi Kullat Binjake, në vitin 2001, duke i bërë thirrje SHBA-së që të bënte më shumë.

“Ashtu siç nuk e priste askush me këto dy ngjarje, ju nuk mund t’i parandalonit. Ne po përjetojmë diçka të ngjashme çdo ditë. Ne po e jetojmë 11 shtatorin çdo ditë. Në periudhën më të zezë të vendit tonë, të Europës, iu bëj thirrje që të bëni më shumë. Duhen sanksione të tjera, vazhdimisht, çdo javë, derisa të ndalet makineria ushtarake ruse”, tha Zelensky.

“SHBA duhet të sanksionojë të gjithë politikanët rusë që mbajnë ende postet e tyre dhe nuk distancohen nga ata që janë kundër Ukrainës. Të gjitha kompanitë amerikane duhet të largohen nga tregu rus menjëherë, pasi është i përlyer me gjakun tonë. Rusët nuk duhet të marrin asnjë qindarkë që mund ta përdorin për të shkatërruar njerëzit në Ukrainë”, shtoi presidenti ukrainas.