Rivlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të votohet në seancën plenare të datës 10 shkurt. Nisma u fut në kalendarin e punimeve gjatë një votimi me karton në seancën e së enjtes vetëm me votat e mazhorancës.

Opozita nuk mori pjesë në votim dhe nuk shfaqi kundërshti për nismën në vetvete, por për procedurat që ishin ndjekur për ta miratuar atë në Këshillin Legjislativ të Kuvendit, të cilin ajo e bojkotoi në të gjitha mbledhjet që u mbajtën për shqyrtimin e kësaj nisme.

Debatet mes palëve në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve të mërkurën u importuan në seancën plenare të së enjtes. Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ftoi opozitën që të pranonte futjen në kalendar duke e cilësuar si një nismë jopolitike, por si një nevojë për ecurinë e procesit të vetingut.

“Kemi diskutuar në konferencën e kryetarëve kalendarin dhe ndryshimet kushtetuese janë të tilla që afatet janë të përcaktuara me shumë rigorozitet nga ana e vetë Kushtetutës dhe e rregullores së Kuvendit”- tha ai duke ftuar deputetët e opozitës që të pranonin datën 10 shkurt. Sipas tij, Kuvendi ka detyrim ta votojë në një afat 21 ditor nismën pas miratimit në mbledhjen e Këshillit të përbashkët të Legjislacionit dhe afati i fundit është 17 shkurti.

“Nuk është një proces që duhet politizuar, nuk është një proces ndryshimesh kushtetuese që duhet bërë pjesë e axhendave të tjera politike”- u tha ai kolegëve demokratë.

Por për kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, vetë procesi që është ndjekur për të miratuar këtë nismë ka qenë i politizuar dhe i njëanshëm.

“I gjithë procesi i zhvilluar deri më tani është i nëjanshëm që nga dita e parë”- tha Alibeaj duke ftuar mazhorancën që të bien dakord për bashkimin e dy nismave për ndryshime kushtetuese në një seancë plenare. “Ftesa jonë është kjo, procedurat për të gjitha iniciativat parlamentrare të jenë të harmonizuara në proces pa kondicionuar asgjë”- shtoi ai.

Deputetët e PD-së nuk morën pjesë në diskutimin e zgjatjes së afateve të vetingut pasi nuk mazhoranca nuk pranoi bashkimin e procedurës për nismën e saj për disa ndryshime kushtetuese, nismë e cila po diskutohet paralelisht nga Këshilli Legjislativ.

“Sipas rregullores dhe praktikës më të mirë të të gjitha iniciativave parlamentare të ndërhyrjes në kushtetutë do të duhej të ndiqnin të njëjtën rrugë proceduriale. E kemi kërkuar me ngulm dhe kemi parë refuzimin tuaj për të diskutuar sëbashku këto iniciativa”- theksoi Alibeaj duke sqaruar pozicionin e opozitës.

Funksionimi i KPK-së dhe KP-së kishte një afat 5-vjeçar deri në qershor 2022, por ato nuk kanë arritur të përfundojnë procesin e rivlerësimit për 1/3 e dosjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Edhe pse Kushtetuta parashikonte kalimin e kompetencave tek Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mazhoranca pas një kërkese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërmori nismën për të zgjatur afatin e tyre deri më 31 dhjetor 2024. Në një opinion dërguar Kuvendit edhe Komisioni i Venecias pranoi se ka arsye objektive për zgjatjen e mandatit dhe e cilësoi nismën në përputhje me standardet evropiane.

Çdo nismë për ndryshimin e Kushtetutës kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend duke e bërë të dosmodoshëm konsensusin politik mes palëve në seancën e datës 10 shkurt.